Daut Haradinaj ka marrë sot pjesë në shënimin e 27-vjetorit të operacionit “Oluja” nga kroatët ndaj serbëve.
Haradinaj ka publikuar fotografi bashkë me veteranët e luftës kroatë, duke thënë se është ndjenjë e veçantë të jesh prezent bashkë me njerëzit që mposhtën ushtrinë e Millosheviqit, shkruan lajmi.net.
“Sot në Knin të Kroacisë, aty ku para 27 viteve filloi operacioni “Oluja”. Ndjenjë e veçantë të jesh prezent bashkë me njerëzit që e mposhtën ushtrinë e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.
“Oluja”, apo “Stuhia”, është një operacion i madh ushtarako-policor në të cilin ushtria dhe policia kroate çliruan zonat e pushtuara të Republikës së Kroacisë nën kontrollin e serbëve rebelë ku u krijua parashteti Republika Srpska Krajina dhe pa asnjë njohje ndërkombëtare.
Operacioni ktheu të gjithë territorin e pushtuar në rendin kushtetues dhe ligjor kroat, me përjashtim të Sllavonisë Lindore.
Stuhia, së bashku me operacionin Bljesak, ishte aksioni kyç që çoi në përfundimin e Luftës. Operacioni çliroi 10,400 kilometra katrorë. /Botapress.info/