Departamenti i Shtetit ka ripërsëritur thirrjen ndaj Serbisë që t’i lirojë menjëherë tre zyrtarët policorë kosovarë që po mbahen në Serbi.
Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, DASh ka deklaruar se ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë në pritshmëritë që kanë nga të dyja palët.
Të shtëna me armë te “Kafet e Vogla”, dyshohet se ka të plagosur
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin menjëherë hapa konkret për deeskalimin e tensioneve. Kjo përfshin lirimin e pakusht të tre zyrtarëve policorë që po mbahen në Serbi. Të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga BE-ja dhe të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja pa vonesa.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Ky reagim, vjen pas zhvillimeve të sotme, ku kryediplomati evropian, Josep Borell u shpreh i alarmuar me arrestimin e një personi në veri dhe aktivitetin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai./Botapress.info/