Kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Termocentralit “Kosova B”, Muharrem Gashi, është përfshirë në debatin pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin. Ai nuk pati fjalë të mira për të por as për riparimet që janë bërë në termocentrale.
Gashi ishte i ftuar mbrëmë në RTV Dukagjinin, konkretisht në emisionin politik “Debat Plus”, ku foli për arrestimin e drejtorit, Nagip Krasniqi, për riparimet në KEK dhe për qasjen e qeverisë nga kësaj korporate me interes kombëtar.
Sindikalisti Gashi është shprehur kritik ndaj qasjes së Krasniqit ndaj punëtorëve të kësaj korporate.
Ai ka thënë se Krasniqi i ka gënjyer, i ka anashkaluar dhe i ka rënduar, tekska ka rrëfyer një takim me të ku i pranishëm kishte qenë edhe kryeministri, Albin Kurti.
“Para vitit të ri erdhi Kurti më 26 dhjetor, iu drejtova, në këtë menzë nuk mundemi me ngrënë. Kurti e ka thirrur Krasniqin në prani tonë, tha edhe një muaj ditë renovohet, Nagipi na rrejti nër sy kryeministrit. Edhe një muaj ditë kjo menzë lëshohet dhe nuk u lëshua, ka pasë kërkesa edhe prej shkurtit 2022, kurrë një send nuk është kryer,”
“Kurrë një send nuk na ka kryer, na ka anashkaluar, na ka rënduar, çdo tre muaj ditë e kemi pasur një takim, nuk i pëlqente, dilte ikte. S’ka pasur qasje të mirë me punëtorët.” – ka thënë Gashi.
“Qishtu ma jokomunikues, jotransparent se ky, çdo tre muaj, kur shkojshim kish harru çka na kish thanë.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Megjithatë, arrestimi i tij ka thënë se do të ndikojë edhe tek punëtorët.
“Ajo ndikon në tërë Kosovën dhe le më te punëtorët. Nuk besoj që është ndier mirë ndokush [për arrestimin e Nagip Krasniqit]. Verdiktin ia lëmë gjykatës, ne si punëtorë nuk e kemi shti t’i bëjë ato gjëra, nëse i ka bërë.” – ka thënë ai.
Më tej, ai në këtë debat ka folur edhe për riparimet që janë bërë në TC Kosova B, duke thënë se gjithmonë riparimet janë bërë “sa për sy e faqe”.
“Riparimet janë bërë sa për sy e faqe, që 41 vjet punoj në Kosova B, këso riparime nuk kam parë.” – është shprehur ai.
Tutje, Gashi është shprehur i zhgënjyer me pritshmëritë që ka pasur qeverisjen e VV-së.
“Ne kemi menduar që kur të vjen VV do të ketë përparim, por ajo nuk ndodhi, nuk di diçka që u bë. Çdokush që ka ardhur në pushtet, kanë thënë [grahi se unë jam në pushtet, le të thonë se ka rrymë]. Janë disa gjëra që nuk shkojnë për hatër të partive.” – ka thënë ai.
Për të mos harruar, kryeshefi i KEK-ut është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.
Kryeshefi i arrestuar i KEK-ut, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëevendosje, dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës, konflikt i interesit dhe ushtrim i ndikimit”.
Krasniqi është të martën është suspenduar nga pozita e drejtorit të KEK-ut dhe në vendin e ti është caktuar Përparim Kabashi.
“Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.” – është bërë e ditur në komunikatë.
Theksojmë se pushteti, duke filluar nga kryeministri, Albin Kurti e të tjerë zyrtarë, i dolën në mbrojtjet të arrestuarit Nagip Krasniqi.