Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se në sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit janë përdorur avionët bombardues B-2 të Forcave Ajrore të SHBA-së, përcjell Reporteri.net.
B-2 Spirit është bombarduesi më modern dhe më i avancuar i Forcave Ajrore të SHBA-së.
Me dizajnin e tij si “krah fluturues”, ndërtimin me materiale kompozite dhe veshjen speciale që e bën të padukshëm për radarët, “B-2 sjell një fuqi shkatërruese të jashtëzakonshme në çdo cep të globit, brenda një kohe të shkurtër, duke kaluar përmes mbrojtjeve që dikur ishin të papërshkueshme,” thuhet në një dokument zyrtar të Forcave Ajrore.
Bombarduesi me katër motorë mund të pajiset me armë bërthamore ose konvencionale, drejtohet nga një ekuipazh prej dy personash, ka një kapacitet ngarkese prej 18 tonë dhe një rreze të pakufizuar veprimi nëse furnizohet me karburant në ajër.
CNN shkruan se “fluturimi i parë i B-2 u realizua në vitin 1989 dhe u përdor për herë të parë në luftë dhjetë vjet më vonë gjatë Operacionit “Allied Force” – ndërhyrja e udhëhequr nga NATO në krizën humanitare në Kosovë – duke fluturuar pa ndalesë nga baza e tyre në Missouri për të goditur objektiva serbe, sipas Forcave Ajrore.
Më vonë, ata realizuan misione edhe më të gjata për të goditur objektiva në Afganistan në tetor të vitit 2001 gjatë ditëve të para të Operacionit “Enduring Freedom”.
Së fundmi, B-2-tat kanë fluturuar nga baza e përbashkët amerikano-britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian për të sulmuar objektiva të Houthive në Jemen.
Në inventarin e Forcave Ajrore të SHBA-së ndodhen vetëm 20 njësi të B-2, të gjitha të bazuara në bazën ajrore Whiteman në Missouri.
Çdo njësi kushton rreth 2 miliardë dollarë sipas vlerësimeve aktuale.
SHBA-ja përdori bombën GBU-57A/B Massive Ordnance Penetrator (MOP), e njohur si “shkatërruese bunkerësh”, në sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane të shtunën në mbrëmje sipas kohës lokale në SHBA, sipas dy burimeve të njohura me operacionin.
MOP — një bombë prej 30,000 paundësh me 6,000 paund eksploziv — është “projektuar për të arritur dhe shkatërruar armët e shkatërrimit në masë të kundërshtarëve tanë që ndodhen në objekte shumë të mbrojtura,” sipas një fletë-informacioni të Forcave Ajrore të SHBA-së.
B-2 është i vetmi aeroplan në inventarin e SHBA-së që mund të mbajë bombën GBU-57A/B.
Të tjera
Aktuale
KQZ: Ja si ta ndërroni Qendrën e Votimit brenda komunës apo të kaloni në komunën tjetër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar
Shëndetësi
Nëse gjuha juaj duket kështu, nuk duhet të pini kafe
Për shumë njerëz, një filxhan kafe
Aktuale
E dhimbshme: Sot i jepet lamtumira e fundit 25-vjeçarit Rien Bytyqi, që humbi jetën tragjikisht në Prishtinë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur