Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), e Deçanit, po përcillet fëmija i gjashtë për në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi që pas trajtimit për helmim, të njëjtit nuk i është përmirësuar gjendja shëndetësore.
Nga dita e shtunë, Deçani është duke u përballur me raste të helmimit të qytetarëve. Deri më tani mbi 1 mijë e 500 persona janë helmuar në Deçan, ku deri tani supozohet se shkaktar i këtij helmimi është uji.
Qytetarët thonë se ky helmim ka ardhur nga uji, derisa komuna dhe IKSHPK janë duke pritur për rezultatet e analizave që i janë bërë ujit.
Ndërkaq burime të Metros brenda QKMF’së, së Deçanit bëjnë me dije se nga mëngjesi e deri më tani, 300 persona kanë kërkuar ndihmë në QKMF, duke mos llogaritur ata në ordinanca private. Sipas raportimit, 200 prej tyre kanë pasur simptoma të helmimit, si: diarre, vjellje, mundime etj.
Gjithashtu burimet nga QKMF e Deçanit, kanë bërë me dije për Metron, se fëmija i gjashtë po dërgohet në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi që pas trajtimit për helmim, të njëjtit nuk i është përmirësuar gjendja shëndetësore. /Botapress/