Togo sot ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kryediplomati i Togos Robert Dussey, që para 8 vitesh ia kishte konfirmuar Kosovës njohjen e pavarësisë, sot në Beograd konfirmuar se është tërhequr vendimi për njohje.
Në një prej njoftimeve të fundit, Dussey ka treguar edhe përfitimet për shtetin e tij për tërheqjen e njohjes.
“I gëzuar që po intensifikojmë miqësinë dhe bashkëpunimin mes Togos dhe Serbisë, duke nënshkruar sot me homologun dhe shokun tim Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë një marrëveshje për heqjen e vizave për shtetasit tanë me pasaporta diplomatike dhe të shërbimit”, ka shkruar Dussey.
Gjatë një konference me Daçiq, Dussey ka thënë se Togo nga tani e njeh Serbinë unike, duke nënkuptuar që e njeh edhe Kosovën si pjesë të territorit të saj.
“Ne në Togo e njohim vetëm një Serbi, një Serbi që është unike. Një Serbi që e bart flamurin për të gjithë popullin e saj në tërë territorin e saj. Më vjen mirë që e përmendët tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kjo tërheqje është definitive. Edhe ne jemi sot mes miqsh, miqtë jeni ju” ka thënë Dussey.
Këtë ai e ka bërë në një deklaratë në gjuhën frënge, gjatë konferencës për media me homologun e tij serb Ivica Daçiq.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po ashtu ka takuar diplomatin afrikan.
“E çmojmë lartë mbështetjen e këtij vendi të rëndësishëm afrikan për rujatjen e integrtetit dhe tërësisë së Serbisë në pajtim me normat e së drejtës ndërkombëtare” ka shkruar në Instagram Vuçiq. Ai s’ka përmendur se Togo ka tërhequr njohjen.
Togo shtrihet në pjesën perëndimore të Afrikës, ka mbi 7 milionë banorë dhe është anëtare e Kombeve të Bashkuara nga 20 shtatori 1960.
Në vitin 2014, Ministria e Jashtme e Kosovës e kishte raportuar njohjen nga Togo si të 107’ën për vendin.