Çka parasheh Projektligji për Shtetësinë, që e miratoi sot qeveria?

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua Projektligji për Shtetësinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi në mbledhje se ky projektligj do të ndihmojë në lehtësimin maksimal të procesit të rikthimit të shtetësisë për diasporën, që për shkak të kufizimeve në shtetet e tyre, iu është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, transmeton IndeksOnline.

Pas përfundimit të mbledhjes, Sveçla deklaroi se ky projektligj është zotim i fushatës elektorale dhe se do të sjell ndryshime të rëndësishme në rifitimin, fitimin, regjistrimin dhe humbjen e shtetësisë së Kosovës.

Ai ka sqaruar edhe procedurën e aplikimit për rikthim të shtetësisë.

“Me miratimin përfundimtar të këtij Ligji, qytetarët tanë nga mërgata që janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës do të rikthejnë shtetësinë me procedurë të lehtësuar. Nga 9 dokumente sa janë kërkuar deri më tash, aplikimi për rikthim të shtetësisë do të bëhet me 1 kërkesë të thjeshtë dhe 1 dëshmi që personi nuk është i dënuar në shtetin përkatës. Po ashtu, afati për shqyrtim, i cili ishte 6 muaj, e kemi zbritur në 30 ditë” ka sqaruar Sveçla.

Sipas ministrit, në kuadër të këtij procesi, qytetarët do të mund të aplikojnë për rifitim të shtetësisë në procedurë të shpejtë dhe pa pagesë.

“Ky projektligj është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, lehtësimit të procedurave për qytetarët tanë dhe forcimit të lidhjes së qëndrueshme ndërmjet shtetit dhe mërgatës, duke dëshmuar përkushtimin tonë që asnjë qytetar i Kosovës të mos ndihet i shkëputur nga atdheu i tij” shtoi Sveçla.

 

Të tjera