Ukraina ka ofruar që të bëhet shtet neutral nëse merr garancinë për siguri nga shtetet perëndimore, duke braktisur aspiratat për t’iu bashkuar NATO-s. Por këto lëvizje do të kërkonin ndryshime kushtetuese ose referendum, të cilat s’mund të bëhen në kohë lufte, kanë thënë analistët.
Çka është neutraliteti?
Nën të drejtën ndërkombëtare, një shtet është neutral nëse nuk ndërhyn në situata të luftërave ndërkombëtare, që përfshin palë të tjera. Po ashtu një shtet i tillë nuk lejon palë të tjera të përdorin territorin e tij si bazë për operacione ushtarake.
Çfarë ka thënë Zelensky?
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 15 mars u shpreh se Ukraina nuk mund t’i bashkohet NATO-s.
“Kemi dëgjuar për vite të tëra që dera është e hapur, por kemi dëgjuar edhe se s’mund të bashkohemi. Kjo është e vërteta që e dimë”, pati thënë Zelensky në një deklaratë që u pa si braktisje e aspiratave për bashkim të NATO-s dhe nga disa ukrainas u pa si kompromis i papranueshëm.
Në bisedimet e së martës në Turqi, negociatorët ukrainas u shprehën se Kievi është i gatshëm të pranojë neutralitetin nëse arrihet një marrëveshje ndërkombëtare, në të cilën shtetet perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca e Britania do të garantonin sigurinë.
Gjithsesi, aspiratat e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s janë të shkruara në Kushtetutë, që nuk mund të ndryshohet gjatë gjendjes emergjente që tashmë është e shpallur.
A mund ta ndryshojë Ukraina Kushtetutën?
Çdo ndryshim i Kushtetutës do të kërkonte miratimin nga 300 prej 450 ligjvënësve në dy seanca parlamentare dhe më pas të vlerësohej nga Gjykata Kushtetuese.
“Sot s’janë 300 vota, por lufta po vazhdon dhe NATO-ja s’po ndihmon”, ka thënë politologu ukrainas, Volodymyr Fesenko. “Zhgënjimi i Zelenskyt me ndihmën e pamjaftueshme të NATO-s po ndryshon opinionin publik. Për ne, NATO-ja është dhimbja më e thjeshtë dhe më e vogël”.
Çfarë duan ukrainasit?
Sipas një ankete të kryer këtë muaj, 44 për qind e ukrainasve mendojnë se shteti i tyre duhet t’i bashkohet NATO-s. Kjo paraqet rënie prej 2 për qind nga sondazhi i muajit shkurt, para se Rusia të niste pushtimin.
42 për qind e të anketuarve besojnë se Ukraina duhet të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n, por të mos i bashkohet.
“Ukrainasit duan t’i bashkohen NATO-s, por nëse Evropa ofron pranimin në Bashkimin Evropian dhe propozon pako financiare për të rindërtuar Ukrainën, debati mbi NATO-n do të harrohet për pak kohë”, ka thënë analisti politik nga Kievi, Mykola Davydiuk. “Nëse Britania, Franca e SHBA-ja – tri fuqi bërthamore – garantojnë sigurinë, një aleancë e tillë do të ishte më e fuqishme se pranimi në NATO”.
Negociatorët ukrainas në Turqi kanë krahasuar garancinë e sigurisë që duan me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s ku shtetet pajtohen t’i dalin në mbrojtje çdo ndërhyrje në njërën nga shtetet anëtare.