Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thotë se të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë në Projektligjin e pagave.
Sipas saj Projektligji i pagave sjellë koeficientë të dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve.
“Me rastin e hartimit të Projektligjit janë marrë për bazë rekomandimet e MASHTI, si dhe janë trajtuar edhe ato kategori të punëtorëve të arsimit të cilat ishin lënë anash në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese”, shkruan ajo ndër të tjera.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka njoftuar sot për shpalljen e grevës së përgjithshme nga 25 gushti.
Sipas kryetarit, Atdhe Hykolli, greva do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat e tyre.
“Kërkojmë 100 euro shtesë derisa të miratohet Ligji për Paga”, është shprehur Hykolli.
Postimi i saj i plotë i ministres Nagavci:
Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi e ka prioritet arsimin.
Për këtë arsye, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë në Projektligjin e pagave, i cili tanimë është diskutim paraprak.
Me rastin e hartimit të Projektligjit janë marrë për bazë rekomandimet e MASHTI, si dhe janë trajtuar edhe ato kategori të punëtorëve të arsimit të cilat ishin lënë anash në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ky projektligj dallon shumë nga i ligji i mëhershëm, ndërsa efekti i drejtpërdrejtë i tij do të jetë përmirësimi i pozitës së punëtorëve të arsimit, motivimi i tyre për performancë sa më të mirë dhe drejtësi e barazi.
Ndër të tjera, Projektligji i pagave sjell:
📌Koeficientë të dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve.
📌Trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe mësimdhënësve lëndorë në arsimin e mesëm të ulët.
📌Shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjsëve menaxheriale.
📌Përcaktim të vlerës së koeficientit në bazë vjetore.
📌Transparencë të plotë të pagave në sektorin publik.
Angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë te fillimi i suksesshëm i vitit të ri shkollor me 1 shtator./Botapress.info/