Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Siç njofton Kryeministria, Kurti e Chollet kanë diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Në njoftim bëhet e ditur se Kurti e Chollet diskutuan edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Kurti e Chollet diskutuan edhe për vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.
“Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, mbrëmë ka pasur një telefonatë edhe me presidentin serb, Vuçiq.
Chollet ka thënë se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Presidenti Vuçiq theksoi se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar në politikën e paqes dhe bashkëpunimit në rajon”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe./Botapress.info/