Nënsekretari i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, Derek Chollet ka njoftuar për takimin që pati me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York.
Në një postin të tij në X, Chollet ka dhënë detaje të shkurtra se për çka foli me Osmanin.
Pas reagimit të DASH, Lajçak takohet me Cholletin e Escobarin
“Diskutim i mirë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në Dialogun e Lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe integrimit në BE”, ka shkruar ai.
Kurse dje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të saj në New York është takuar me nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Osmani tregoi se temë diskutimi ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas saj, roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar ky proces.
Ajo po ashtu ka shkruar në “X” për rëndësinë e qasjes parimore ndaj zbaitmit të marrëveshjeve.
”Me Chollet dhe Escobar diskutuam zhvillimet në dialog. Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”, shkroi shefja e shtetit.