Çfarë zhvillime të reja pati mbrëmë që Kurti e Abdixhiku u takuan sërish sot për Presidentin?

Për herë të tretë, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u ulën sot përballë njëri-tjetrit me çështjen e Presidentit si temë në tavolinë. Ata u takuan edhe dje, pa arritur ndonjë rezultat. Nuk dihet saktësisht se çfarë lëvizi ndërkohë që bëri që ata të takoheshin sërish sot. Abdixhiku tha dje se “nuk ka proces konsultativ tutje me sa kuptoj”. Që të ndodhte një tjetër takim, ai tha “sipas të gjitha gjasave” ishte “e vështirë”, por shtoi se “nëse ka zhvillime të reja, do ta kemi takimin”. Kurti më pas paralajmëroi se do të kishte përpjekje të fundit.

 

“Nuk ka diçka të re”, tha kryeministri Albin Kurti dje pasdite pasi u takua për herë të dytë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Partitë nuk kanë arritur të pajtohen për një emër konsensual për President.

Nuk dihet çfarë lëvizi saktësisht më pas që bëri që Kurti të takohej sërish sot me Abdixhikun.

“Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do t’ju njoftojmë nëse kjo bëhet së shpejti”, tha Kurti sot pas takimit, pa u ndalur të fliste për gazetarët, siç bëri dje.

Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, tha se nuk ka informacion se çfarë ndodhi në takimin e sotëm Kurti-Abdixhiku, por tregoi se në parti nuk kanë diskutuar për “emra të veçantë”. Ai tha se do të mbajnë një mbledhje të grupit parlamentar ku.

“Për zgjidhjen në parim do të bisedojmë sot dhe pas takimit do të mund të bëjmë një deklaratë formale, zyrtare”, tha ai.

Kurti tha dje pas takimit me Abdixhikun se LVV-ja, së bashku me deputetë të pakicave kanë 66 vota në Kuvend, duke theksuar se “jemi 14 deputetë larg, që e bën situatën më të vështirë”.

Ai përmendi mundësinë që LVV-ja t’i nxjerrë dy kandidatë për President dhe opozita ta nxjerrë një kandidat. Tha se “kushtet janë ideale që t’i kemi edhe 3 kandidatë”.

Ai iu shmang përgjigjes direkte në pyetjen e një gazetari se pse s’po e propozojnë Vjosa Osmanin edhe për një mandat në postin e presidentes së vendit.

“Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut, në situatën aktuale politike, evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi jo që t’i kemi 80, por t’i kemi nja 84-85, dhe për këtë është duke u bërë beteja me këto komunikime dhe këto takime që po i zhvillojmë”, tha ai.

Kurti tha se 30 deputetë nuk zgjidhin punë dhe “as 80-shi nuk është garanci”.

“Tash, 30-shi nuk zgjidh punë. Edhe një herë po e theksoj, as 80-shi nuk është garanci. Duhen 84 ose 85 që të jemi të sigurt për 80”.

Në fund të deklarimit të tij të djeshëm për mediat, Kurti parlajmëroi se do të bënte “përpjekje” edhe mbrëmë dhe sot për ta zgjidhur çështjen e Presidentit.

“Na lejoni që të përpiqemi edhe sonte edhe nesër, e pasnesër besoj duhet të mësohet për këtë gjë”, tha ai.

Tha se “padyshim që do të diskutojmë edhe për emra konkretë” dhe se “mundësitë janë aty” e se “nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje”.

Abdixhiku, pas takimit të djeshëm me Kurtin tha se e sheh “shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare”. Ai madje tha se “nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje me sa kuptoj”. Kur u pyet nëse do të takoheshin sërish, tha: “Sipas të gjitha gjasave vështirë, por nëse ka zhvillime të reja, do ta kemi takimin”.

Tani, ai tha se nuk është më në tavolinë as një marrëveshje politike LDK-LVV. Tha se “nuk ka pasë as parakushte as diskutime për marrëveshje politike”.

I pyetur për presidenten Vjosa Osmani, e cila po kërkon edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, Abdixhiku tha se në asnjërin prej dy takimeve me Kurtin “nuk ka qenë prezent një emër i tillë”. Ai tha se “LDK-ja me 15 deputetë as s’mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë, e besa as s’mund të nominojë dikë”. Në këtë fazë, ai tha se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, “e aq më pak ndaj zonjës Osmani”.

“Le ta provojnë garën”, tha ai, ndër tjerash, duke iu referuar deklaratave të Kurtit që paralajmëroi se mund të ketë edhe garë partiake për President. “Por LDK i sugjeron që të provohet konsensusi para garës”.

Gara partiake, ai tha se ka vetëm një rezultat: shkuarjen në zgjedhje.

“Është procedurë e parapërcaktuar për të dështuar. Në qoftë se vendos Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse s’di se si do t’i bëjmë 80 vota”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua të shtunën me Kurtin për herë të dytë dhe të fundit për këtë çështje. Pas atij takimi tha se i kishte bërë atij një “ofertë të fundit”, që president të zgjidhet dikush që propozohet nga partia e tij.