Numri i ukrainasve që po ikin nga vendi i tyre i cili po pushtohet nga Rusia vazhdon të rritet ndërsa forcat ruse shtuan bombardimet ndaj zonave civile dhe infrastrukturës gjatë fundjavës, raporton CNN.
Ndërsa kushtet u përkeqësuan në një numër qytetesh kryesore të Ukrainës, Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 1.5 milion njerëz janë larguar nga vendi deri më tani,.
Këto janë zhvillimet e fundit:
Kryeqyteti i bombarduar: Ka pasur luftime të rënda herët të hënën në një zonë të gjerë nga veriu në perëndim të Kyivit, sipas zyrtarëve ukrainas dhe përmbajtjes së mediave sociale. Forcat ruse duket se kanë shkuar në ofensivë në disa zona për të shtyrë drejt kryeqytetit ukrainas. Disa pamje treguan tanket ruse duke zënë pozicione në një zonë me popullsi të dendur në perëndim të Kyivit.
Sulmi nga jugu vazhdon: Trupat ruse vazhduan një ofensivë drejt qytetit port strategjik të Mykolaivit të hënën në mëngjes, me zyrtarët që i paralajmëruan banorët të qëndrojnë në strehimoret e tyre. Paralajmërimi për një sulm erdhi disa orë pasi kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleg Senkevich tha se qyteti është goditur nga raketat ruse në mëngjes. CNN pa prova të dielën se municionet thërrmuese kishin rënë pranë zonave civile dhe një zyrtar në një spital të Mykolaiv i tha CNN se një person është vrarë dhe tre u plagosën nga bombardimet.
Një qytet nën rrethim: Frika po rritet për civilët e bllokuar në qytetet e rrethuara jugore të Ukrainës, Mariupol dhe Volnovakha, ndërsa sulmi nga forcat ruse vazhdon. Një burrë, i cili u arratis nga Volnovakha dy ditë më parë, i tregoi CNN për kushtet në pjesë të qytetit, ku ai kaloi ditë të tëra duke u fshehur në një bodrum. “Njerëzit janë atje për 11 ditë tani. Disa dolën, por rreth 450 janë ende atje”, tha ai, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë kontakt me njerëzit që kur u largua.
Evakuimi: Ukraina ka kritikuar njoftimin e njëanshëm të Rusisë për rrugë evakuimi për civilët që përpiqen t’i shpëtojnë luftës. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk e përshkroi propozimin rus si të papranueshëm, veçanërisht pasi të gjithë korridoret përveç njërit të çojnë në Rusi ose aleaten e ngushtë të saj, Bjellorusi. Ndërkohë, një zyrtar i një organizate humanitare e përshkroi njoftimin si “cinik dhe jopraktik, pa asnjë përgatitje”.
Numri i viktimave civile: Më shumë se 360 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tha OKB-ja në një deklaratë të dielën. Deri më tani, 1,123 civilë janë plagosur, duke përfshirë 364 të vrarë dhe 759 të plagosur, thuhet në deklaratë, ndërsa pranohet se shifrat reale ka të ngjarë të jenë “dukshëm më të larta”.
BE pret 5 milionë refugjatë: Bashkimi Europian “duhet të përgatitet për pesë milionë” refugjatë nga Ukraina, tha të hënën përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell. Më shumë se 1.5 milion ukrainas kanë kaluar tashmë nga Ukraina në vendet fqinje, tha të dielën komisioneri i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi, duke e përshkruar situatën si “kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Fuqia ushtarake: Rusia ka lëshuar gjithsej 600 raketa që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, dhe Rusia ka përdorur afërsisht 95% të fuqisë së saj luftarake të grumbulluar brenda Ukrainës.
NATO dërgon raketa: SHBA dhe anëtarët e tjerë të NATO-s deri më tani i kanë dërguar Ukrainës 17,000 raketa antitank dhe 2,000 raketa anti-ajrore Stinger, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN. NATO po shikon gjithashtu mundësinë e vendosjes së përhershme në Baltik, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken.
Sërish bisedime: Ukraina dhe Rusia është planifikuar ta mbajnë një rund të tretë bisedimesh sot.