Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’i intensifikojë përpjekjet gjatë këtyre ditëve për zgjedhjen e presidentit, ka thënë të merkurën shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci. Në anën tjetër, partitë opozitare kanë kërkuar më shumë seriozitet nga Kurti për këtë temë.
Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se do të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet.
“Kurti është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i LVV-së dhe përfaqësues i yni. Besoj se gjatë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se duhet më shumë seriozitet dhe se Kurti ende s’i ka dërguar ftesë zyrtare PDK-së për këtë çështje.
“Jemi të interesuar që të luajmë rolin tonë pozitiv dhe konstruktiv që vendit t’i japim sa më parë institucione. Por përgjegjësi kryesor është shumica parlamentare. PDK-ja i ka 22 deputetë. Kuvendi i ka edhe 98 deputetë të tjerë që të jenë të mjaftueshëm që t’i zgjedhin të gjitha institucionet. LVV dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që LVV-ja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga LVV”, ka thënë Çitaku.
Për zgjedhjen e presidentit ka folur edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku. Edhe ajo ka thënë se zgjidhja për këtë çështje varet nga partia në pushtet.
“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, ka thënë ajo.
Ajo ka mohuar se në takimin e fundit me Kurtin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kërkuar postin e presidentit.
“Këto janë dezinformata. Ju keni marrë deklaratën zyrtare të Abdixhikut, i cili ka qenë prezent dhe i ka bërë këto negociata. Ne jemi të bindur dhe të gatshëm të japim kontribut në këto takime. Çfarëdo që diskutohet jashtë asaj që ne japim deklaratë zyrtare janë dezinformata”, ka thënë ajo.
E ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që t’i lënë anash dallimet dhe të bëhen bashkë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.
“Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallimet dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Uroj që të mos vijë situata që si ushtruese e detyrës së presidentes të shpall datën e zgjedhjeve. Nëse u duhem grupeve parlamentare, natyrisht që unë jam në shërbim të tyre të ndihmoj me takime. E rëndësishme është që partitë politike të dëshmojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë ajo.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur një president, ose Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të hënën u ritakuan kryetarët e VV-së dhe të LDK-së. Por as ai takim i katërt në muajt e fundit, nuk ka prodhuar marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri. Të dy kanë theksuar se nuk duan zgjedhje të reja, teksa kanë thënë se janë marrë vesh që përmbajtja e diskutimeve të mbetet konfidenciale. Të hënën, Kurti ka thënë se po bën përpjekje të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Por PDK-ja i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit, ta konkretizojë iniciativën e re për çështjen e presidentit në formë të shkruar.
Para vendimit të Kushtetueses, që u dha afat deputetëve deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin ose vendi shkon në zgjedhje të reja, Hamza pati takime me Kurtin. Megjithatë ato dështuan. Kurti dhe LVV-ja më 5 mars propozuan dy emra të partisë për kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën. Nuk pati kuorum për të nisur votimin. Pastaj presidentja e atëkohshme Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, por që u hodh poshtë si pa efekt juridik nga Kushtetuesja./Kp/



Të tjera
Aktuale
Janina Ymeri: Ligji për naftën është në favor të naftëtarëve, jo të konsumatorëve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Aktuale
E dhimbshme, publikohet foto e punëtorit që vdiq sot në Strellc të Deçanit
Një person e ka humbur jetën
Aktuale
Kurti: Anëtarësimi në NATO, objektiv strategjik i yni
Kryeministri Albin Kurti tha se anëtarësimi