Nenad Çanak është politikan serb nga Vojvodina, ish-kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSDV) dhe ish-deputet i Kuvendit të Serbisë.
Me deklaratat e tij, jo rrallë ka trazuar opinionin serb, duke mos zgjedhur kritika drejt pushtetit në Serbi për temat aktuale. Ai është shprehur qartazi për skenën politike në Serbi e Mal të Zi, luftën në Ukrainë dhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Për Radio Dukagjini, ai ka folur edhe për zhvillimet në Kosovë, për të cilën thotë se është shtet i pavarur.
Nenad Çanak nuk ka fare dyshime se do të ketë obstruksione në zgjedhjet e së dielës në veri.
Kjo thotë ai, për faktin se situata atje është është vështirë e qëndrueshme.
Tërnava deklarohet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe përdhosjen e flamurit kombëtar
Për këtë akuzon Beogradin zyrtar për siç thotë, storien se “Kosova është Serbi dhe se është çështje kohe se kur do të kthehet nën sistemin kushtetues të Serbisë”.
Në të njëjtën kohë, disi “kamufluar” thotë se është lansuar teza ”E duam Kosovën, por nuk i duam shqiptarët në Kosovë”.
“Ky është thelbi i skizofrenisë politike, e cila njerëzit në veri të Kosovës i sjell në hamendësi se atje diçka do të ndryshojë brenda natës dhe se duhet pritur një kohë më të përshtatshme. Koha e përshtatshme do të jetë kur Rusia ta mund Ukrainën dhe me ndihmën e madhe ruse do të ndryshojë e tërë situata në Kosovë në favor të Beogradit, që ka lidhje të afërta me Kremlinin. Natyrisht kjo është gënjeshtër ordinere. Kjo nuk do të ndodhë”.
E tëra kjo, thotë Çanak, i sjell njerëzit në situatë që të jetojnë në “një përkohësi të pafund”.
Kështu pyetje thelbësore është se a dëshirojnë njerëzit atje apo jo të marrin pjesë në zgjedhje dhe t’i kenë përfaqësuesit e tyre në organet e pushtetit.
“Kishim rastin të shohim kur policët e nacionalitetit serb zhveshën uniformat dhe tash habiten se si nuk ka serb në polici. Natyrisht që nuk ka kur u larguan nga policia. Kështu që nesër do të habiten se si është e mundur që në komunat me shumicë serbe kryetari dhe e tërë administrata, janë shqiptarë etnikë. Kur nuk merrni pjesë, do të jetë ashtu. Nuk ka kurrfarë dyshimi se çka do të ndodhë dhe e tëra kjo është lojë me fatin e këtyre njerëzve , të cilët të ardhmen e tyre nuk e shohin në Kosovë dhe aty mbahen si pengje të regjimit në Beograd, për nevojat e ngritjes së tensioneve. Kjo për të tërhequr vëmendjen brenda në Serbi nga problemet madhore jetësore”.
Në një atmosferë të tillë, është logjike që veriu i Kosovës të bëhet “mbretëri” për grupet kriminale të cilat shfrytëzojë pa pagesë edhe energjinë elektrike për prodhimin e kriptovalutave dhe kur pengohen thonë se po ndiqen për faktin se janë serbë.
Këtu , Çanak e sheh thelbin e problemit dhe shprehet i bindur se grupet e tilla, që përfitojnë nga statusi i pazgjidhur, do të përpiqen që këtë mundësi të jetesës komforte ta mbrojnë duke shkatuar kaos.
“Unë nuk shoh asgjë të mire dhe të dobishme për njerëzit në katër komunat në veri, për faktin se praktikisht ata janë pengje të një politike e cila pësoi disfatë që në vitin 1999 dhe kthim prapa nuk ka. Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur Serbia me Marrëveshjen e Kumanovës është larguar nga Kosova. Të gjitha këto fjalë ngatërruese edhe për statusin e Kosovës, janë përralla për fëmijë. Kosova është shtet i pavarur, pasaportat e së cilës i njeh BE-ja dhe është larguar regjimi i vizave nga 1 janari. Këtu nuk ka çka të flitet. Edhe vet Plani franko-gjerman është faktikisht njohje e Kosovës nga Beogradi, meqë udhëhiqet me parimet e marrëveshjes në mes të shteteve sovrane.”
Opozita në Serbi, thotë Çanak për Radio Dukagjinin, do të duhej të ofronte zgjidhje tjera, por ajo në të shumtën e rasteve ofron të njëjtat si pozita por lufton kundër pushtetit që ajo vet t’i zbatojë.
Ai thotë se Rusia ka shumë ndikim në veri të Kosovës.
“Pa trazira në veri të Kosovës dhe mundësisë së përhershme që të aktivizohet fuqia ballkanike e barotit , Rusia humb elementin e rëndësishëm për bisedime me perëndimin sipas parimit se nëse nuk na lejoni të bëjmë në fqinjësinë tonë çka të duam ,do ta djegim Ballkanin, dhe kjo thjesht është politika ruse .Por rusët, për dallim nga Perëndimi mendojnë 50 vjet më herët. E tëra kjo është përgaditur shumë më heret dhe tash po shihet”.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe thotë Çanak është e rëndësisë së madhe për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në mënyrë që të flasë para opinionit serb për fitoren e madhe duke mbuluar kështu njohjen e Kosovës.
“Kjo nuk mund asessi të krahasohet me Republikën Serbe pikë së pari për faktin se ky Asociacion nuk do të kishte interferenca çfarë i ka Republika Srpska e as që paraqet gjysmën e territorit, 49 përqind të territorit, e as që ka numër të rëndësishëm të njerëzve, mbi 1 milion që jeton në atë hapsirë. Mos të harrojmë, 20 herë më shumë njerëz se që jetojnë në veri të Kosovës në të katër komunat vetëm në Vojvodinë nuk kanë ujë të pijshëm. Këtë nuk do t’ua thotë askush për faktin se nuk mund të përdoret politikisht nga ana e Beogradit. Kështu, në vend që të bisedohet për këto çështje, shndërrohet në çështje mbi çështje statusi i atyre komunave në veri”.
Çanak thotë se Serbia asnjëherë nuk do ta pranojë se e ka njohur Kosovën.
“Mos prisni që do të pranojë se e ka njohur, por se do ta njohë do ta njohë. Kjo do të jetë njohje de facto dhe de jure, por me propagandë do të ketë emër tjetër”.
Nenad Çanak, së fundmi ka themeluar dhe udhëheq Institutin “Ballkani Perëndimor” që merret me çështjet në këtë hapësirë si dhe luftën siç thotëkundër ndikimit toksik rus.
Pjesë e Këshillit të këtij instituti është edhe Rektori i Universitetit të Tetovës.