Burim Ramadani ‘‘sfidon’’ pushtetin: Bëjeni narko-testin, edhe nëse jeni të pastër s’është keq të jeni shembull

Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka kërkuar nga pushteti që ta bëjnë narko-testin, pasi që këta të fundit janë përgjegjës për të luftuar drogat në vend, dhe duhet të jenë shembull për këtë.

Ramadani, ka deklaruar po ashtu se, një nga rreziqet serioze të sigurisë kombëtare sot, është shpërndarja e drogave në shkolla, rrugë e ambiente të ndryshme.

‘’Ju sfidoj, bëjeni narko-testin. Sot një prej rreziqeve serioze të sigurisë kombëtare është shpërndarja e drogave, nëpër shkolla, nëpër rrugë, në ambiente të ndryshme. Shteti ka përgjegjësi për luftimin e drogave dhe shteti ka shumë institucione të cilat i kanë përgjegjësi për ta kryer këtë punë, por mbi të gjitha është një institucion që është përgjegjës edhe për zhvillimin e politikave por edhe për dhënien e shembullit personal, dhe ky institucion është qeveria.

Pra po i sfidoj bëjeni narko-testin. Jo sepse po paragjykoj diçka, por sepse kërkoj dhe sfidoj që ju të jeni shembulli se jeni të vërtetë në luftën kundër drogave. Sot, po e jap para jush rezultatin që e kam bërë në QKUK me datën 23 qershor, pra pak ditë pas zgjedhjeve dhe pak ditë para certifikimit. Arsyeja pse e kam bërë, dhe kam fillu nga vetja, është që tu them të gjithë juve pushtetarëve, edhe nëse jeni të pastër nuk është keq ta jepni shembullin, sepse ju jeni përgjegjësit për t’i luftuar drogat në Kosovë’’, ka deklaruar Ramadani.