Kosova vazhdon të përballet me kërkesën e partnerëve të saj për të çuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese që nënkupton se edhe tentativa e radhës e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës do të sfidohet me kushtin e njëjtë. Një e tillë iu bë dje Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar, e cila u kujdes të tregonte se kjo kërkesë është e ‘të tjerëve’, por se e nxisin Kosovën për ta përmbushur për të qenë e suksesshme në KiE.
Vizita e Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë, David Lammy, solli edhe njëherë mbështetjen që qeveria britanike i jep Kosovës.
Lammy në Prishtinë reflektoi qëllimet e bashkëpartiakut të tij, Tony Blair, për një Kosovë që është në gjendje të formësojë të ardhmen e saj, të bashkëjetojë në mënyrë paqësore me fqinjët e saj dhe të mbrojë diversitetin e qytetarëve të saj.
“Sekretari i Jashtëm shpreson se qeveria e ardhshme e Kosovës do t’i adresojë të gjitha nevojat e qytetarëve, duke përfshirë përparimin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin fuqishëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Mbretëria e Bashkuar do të punojë së bashku me BE-në për të siguruar që ne të kemi përparim që funksionon për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, tha ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas përfundimit të vizitës së kryediplomatit të vendit të tij.
Kosova humbi shansin vitin e kaluar për t’u anëtarësuar në organizatën më të rëndësishme të kontinentit për të drejtat e njeriut për shkak të kushtit që iu vu nga partnerët e saj në Këshill të Europës për të çuar draft-statutin e BE-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për t’u testuar në Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria e Kosovës ishte ankuar në partnerët e saj për kushtëzimin si të padrejtë ndaj saj, megjithatë procesi u bllokua.
Për këtë ambasadori britanik u kujdes të tregojë se ky kusht është i “të tjerëve” dhe jo britanikëve, por tha se shpreson që Kosova ta plotësojë atë.
“Mbretëria e Bashkuar pa mëdyshje mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe shpreson se ajo mund të përmbushë shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Hargreaves, duke përçuar mesazhet e Lammyt.
Për draft-statutin që i kërkohet Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese kishte folur së fundi presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se sipas mendimit të saj, ky draft-statut s’do të kalonte testin e gjykatës.
“Po flasim për çështjen e draft-statutit të BE-së që unë personalisht besoj që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk janë në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së dhe standardet e Këshillit të Europës pastaj dhe po ashtu nuk janë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës. Një draft-statut i tillë që bie ndesh me këto të tria s’ka si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj që do të mund të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese, e cila që tashmë ka vendosur standarde për shumë nga këto tema të vendosura brenda draft-statutit siç janë kompetencat ekzekutive të Asociacionit e shumë çështje të tjera”, kishte thënë Osmani.
Të tjera
Aktuale
Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës rritet me 3,8 për qind në vitet 2025 dhe 2026
Banka Botërore ka parashikuar se rritja
Aktuale
Pauza që po ‘dëmton’ shërbimin, ankohen qytetarët për pritje të gjata në Stacionin Policor
Në Stacionin Policor – Qendra, ka
Aktuale
Rryma është shtrenjtuar në Kosovë, por jo edhe në veri, deklarohet ZRrE
Rryma është shtrenjtuar për 16.1% krahasuar