Nga Ujmani nis gjithçka. Është ky liqeni nga ku furnizon me ujë të pijshëm disa qytete të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të Prishtinës. Por para se ky ujë të shërbehet tek qytetarët si i pijshëm, kalon në disa procese.
Përmes pompave në Milloshevë, uji i liqenit të Ujmanit arrin deri në fabrikën e kompanisë rajonale të Prishtinës “Ujësjellësi”, në fshatin Shkabaj e cila u hap në mars të vitit 2017. Aty pranohet uji dhe nis procesi i parë në fabrikë, ai i ajrimit.
“Këtu bëhet procesi i ajrimit të ujit. Pas këtij procesi uji shkon drejt në flokulim dhe përgatit për t’u trajtuar në filtra. Uji ngopet me oksigjen dhe kryhet procesi i oksido-reduktimit për lirimin e metaleve të rënda që janë në ujë dhe përmes oksigjenit ato reduktohen dhe bien në pjesën e poshtme që fundërrohen”, ka shpjeguar Banush Dragusha, menaxher në fabrikën “Shkabaj”.
Pasi të përfundojë ajrimi, uji vazhdon brenda fabrikës për folikulim, i cili është procesi i dytë para se të dërgohet për filtrim.
“Këtu bëhet dozimi i koagulonit që në këtë rast e kemi alumin sulfatin i cili përdoret për flokulimin e ujit, në pjesën e dytë apo basenin e dytë bëhet procesi i folikulimit, në të tretin bëhet procesi i fundërrimit. Pasi janë krijuar flokulat një pjesë e rëndë mbetet poshtë dhe pjesa e lehtë mbetet mbi ujë dhe pas kësaj vazhdon në repartin e filtrimit të ujit”, ka treguar më tej Dragusha.
Fabrika i ka 8 filtra që kanë kapacitetin prej 100 litra ujë në sekondë që 8 filtrat bëjnë 800 litra ujë në sekondë. Aty vërehet më së miri papastërtia e ujit.
Baltë e tëra bëhet uji gjatë kalimit nëpër procesin e pastrimit. Po sa kohë merr kjo?
“Për momentin gjendemi para filtrit i cili është duke u pastruar do të thotë një filtër e ka kohën në kushte normale ta pastrojë ujin 48 orë, por në kushte të jashtëzakonshme shkon për 12 orë në pastrim. Për momentin gjendemi tek filtri që është duke u pastruar pra duke vepruar në pjesën e kundërt, njëherë veprojnë me ajër diku për 4 minuta pastaj me pompë që e shpërlajmë filtrin, pasi të kryhet pjesa e parë uji shpërlahet, filtri zbrazet, pret 2 minuta mbushet prapë uji me një kapacitet 200 litra ujë në sekondë që të shpërlajë sa më shumë filtrin dhe pjesa e tretë prapë veprohet me pompë në të njëjtën shpejtësi, në pjesën e katërt mbushet prapë uji dhe filtri kthehet përsëri në gjendje për ta pastruar. Kjo ndodhë te secili filtër pas kohës së punës, apo vështirësisë që ka në filtrim. Nëse një filtër i ka bë 10-12 orë punë në këto kushte, atëherë ai shkon në mënyrë automatike në pastrim”, ka treguar ai.
E larja e filtrit me ajër dhe ujë bëhet përmes disa gypave. Pas kësaj është edhe procedura e fundit, dezinfektimi me klor.
“Këtu bëhet procesi i dezinfektimit që kryhet me klor. Njëra punon tjetra është rezervë. Objekti çdo kund i ka nga dy pajisje, njërën në punë tjetrën rezervë dhe këto pajisje thjeshtë bëjnë dezinfektimin e ujit me klor”, ka vazhduar Dragusha.
Edhe pas kësaj, uji nuk distribuohet për klientët pa kaluar edhe nëpër duart e laborantëve të kësaj fabrike. Në këtë dhomë bëhen analizat për të parë nëse uji ka cilësinë e duhur për pije. Laborantja, Ganimete Grajveci përmes epruvetave ka treguar se si bëhet kjo analizë dhe nëse uji është i gatshëm për pije.
Pas kësaj, jepet leja për furnizimin e klientëve me ujë të pijshëm. Në këtë dhomë ndahen gypat që dërgojnë ujin në Fushë-Kosovë dhe Obiliq, dhe në anën tjetër gypi që dërgon ujin për banoët e lagjes “Arbëria”.
“Stacioni i pompave ku nga këtu distribuohet për qytet. Njëri gyp shkon për Arbëri, tjetri për Shkabaj. Në Arbëri shkon ky gypi nga ana e majtë ndërsa tjetri për Fushë Kosovë dhe Obiliq. Pompat për Arbëri e kanë kapacitetin prej 355 kë, ndërsa për Shkabaj e kanë 90 kë. Uji prej këtyre rezervarëve e bën mbushjen e rezervarit me ujë të pastër pas proceseve që i kemi përmend dhe përmes këtyre pompave shpërndahen tek klientët”, ka treguar Dragusha.
Për të furnizuar me ujë të pijshëm të gjithë Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe lagjen “Arbëria”, kjo fabrikë ka kapacitetin të prodhojë deri në 700 litra ujë në sekondë.
Për shkak të turbullirave pas vërshimeve të fundit, kjo fabrikë po arrin të punojë me kapacitet vetëm prej 200 litra ujë në sekondë./Botapress.info/