Bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme nuk e ka miratuar buxhetin e propozuar nga menaxhmenti. Në njoftim huhet se i njëjti nuk ka qenë në harmoni me mjetet financiare të disponueshme që vijnë nga ndarja buxhetore prej Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga projeksioni i gjenerimit të të ardhurave nga aktivitetet komerciale të RTK-së.
Sipas njoftimit, nëse do të aprovohej ky projektbuxhet, i njëjti do të prodhonte borxhe shtesë për RTK-në për të paktën 2.2 milionë euro.
Bordi me datën 24 dhjetor 2021 ka pranuar nga menaxhmenti i RTK-së projeksionin buxhetor dhe skemën e planifikuar programore për vitin 2022.
Projeksioni buxhetor dhe skema programore nuk janë aprovuar për arsyet si në vijim:
· Projeksioni buxhetor 2022 nuk është aprovuar për shkak se i njëjti nuk ka qenë në harmoni me mjetet financiare të disponueshme që vijnë nga ndarja buxhetore prej Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga projeksioni i gjenerimit të të ardhurave nga aktivitetet komerciale të RTK-së. Si i tillë, projektbuxheti i propozuar për herën e parë, nuk mund të aprovohej, meqë i njëjti do të prodhonte borxhe shtesë për RTK-në për të paktën 2.2 milionë euro
· Skema programore nuk është aprovuar për shkak se e njëjta nuk ka qenë në përputhje me buxhetin e disponueshëm dhe e njëjta nuk ka pasur detaje të mjaftueshme rreth natyrës së secilës njësi të projektuar.
Duke qenë në këtë situatë, Bordi i RTK-së me datë 27 dhjetor 2021 ka kërkuar nga Menaxhmenti i RTK-së versionin e dytë të Projektbuxhetit 2022 dhe Skemës Programore 2022, me kërkesën fundamentale që projeksionet në fjalë të jenë të bazuara në disponueshmërinë e buxhetit të ndarë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nga projeksionet e gjenerimit të të ardhurave alternative nga aktivitetet komerciale të RTK-së.
Sipas kohës së përcaktuar, Menaxhmenti i RTK-së me datë 29 dhjetor 2021 na ka dërguar versionin e dytë për dokumentet e Projektbuxhetit 2022 dhe Skemës Programore 2022. Bordi i RTK-së me datë 30 dhjetor 2021 ka mbajtur mbledhjen e radhës (të tretën me radhë që nga konstituimi me 16 dhjetor 2021) për të shqyrtuar dokumentet e prezantuara.
Konkluzionet kryesore të Bordit të RTK-së pas shqyrtimit të dokumenteve për projeksionin buxhetor dhe skemën programore 2022, janë si në vijim:
· Projeksioni buxhetor ka pësuar ndryshime dhe është harmonizuar me buxhetin në dispozicion për vitin 2022;
· Projeksioni buxhetor ka parashikuar reduktime në disa aktivitete dhe produksione, për të cilat nuk janë dhënë sqarime të detajuara;
· Skema programore ka pësuar ndryshime sipas projektbuxhetit, mirëpo nuk janë dhënë detaje konkrete rreth përbërjes së saj sipas secilës njësi;
Duke marrë për bazë paqartësitë e evidentuara në versionin e dytë të Projektbuxhetit 2022 dhe Skemës Programorë 2022, Bordi i RTK-së ka konstatuar që nuk ka informata të mjaftueshme dhe të nevojshme për të aprovuar apo refuzuar dokumentet në fjalë, andaj si rrjedhojë, Bordi i RTK-së ka kërkuar sqarime shtesë, si në vijim:
· Kriteret e vlerësimit që janë marrë për bazë gjatë rishikimit të projektbuxhetit dhe skemës programore për vitin 2022;
· Arsyetimi i shkurtimeve në të gjithë zërat buxhetorë që kanë pësuar ndryshime nga versioni i parë, duke specifikuar kriterin e vlerësimit, nevojën e institucionit, dëmin potencial që mund të shkaktohet nga rishikimi dhe të ngjashme;
· Sqarim i detajuar rreth secilës njësi në projeksionin e Skemës Programore 2022, duke përfshirë:
o Natyrën e programit kulturor, edukativ, informues dhe argëtues;
o Mënyrën e produksionit të materialit në fjalë; koston e secilit produksion (duke anashkaluar shpenzimet që nuk mund të decentralizohen);
o Periudhën e fillimit dhe përfundimit të shfaqjes për secilën njësi programore;
o Natyrën e produksioneve që adresojnë komunitete dhe pjesë të ndryshme të shoqërisë, si fëmijët, gratë, rinia, prodhuesit, eksportuesit, mërgata, komunitetet, arsimi, shëndetësia, shkenca, e kështu me radhë.
Përtej çështjeve të ndërlidhura me Projektbuxhetin dhe Skemën Programore 2022, Bordi i RTK-së ka kërkuar edhe sqarime tjera shtesë nga Menaxhmenti, si në vijim:
1. Sa punëtorë të rregullt të RTK-së kanë kaluar nga kontratat e rregullta në kontrata mbi shërbime dhe arsyetimin pse kanë ndodhur kjo?
2. Të dërgohet në mënyrë të detajuar lista e punëtorëve që menaxhmenti ka planifikuar t’i angazhojë me kontratë mbi shërbime. Të dhënat e punëtorëve të na dërgohen sipas njësive ku ata punojnë dhe arsyeshmëria e nevojës për angazhimin e tyre.
3. T’i dërgohet bordit një interpretim ligjor me përgjigje eksplicite se a shkelet ndonjë dispozitë ligjore me nënshkrimin e kontratave për shërbime dhe me cilat dispozita ligjore përcaktohet kohëzgjatja e kontratave për shërbime. Interpretimi të jetë i nënshkruar nga zyra ligjore.
4. Të dërgohen gjitha raportet, dokumentet, strategjitë që i ka bërë Departamenti për Zhvillim dhe Strategji i RTK-së në tri vitet e fundit.
5. Të përpilohet dhe dërgohet analizë e detajuar se a është më e favorshme ekonomikisht për RTK-në marrja me qira e automjeteve apo blerja e tyre.