Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ka folur sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për t’i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen pas sulmeve kibernetike të 9 shtatorit, shkruan Gazeta Botapress.
Me anë të një postimi në Twitter, Blinken ka thënë se s’do t’i tolerojnë sulmet kibernetike që targetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo aleatët e NATO’s.
“Fola me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për t’i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen pas sulmeve kibernetike të 9 shtatorit kundër Shqipërisë. Ne nuk do të tolerojmë sulmet kibernetike që targetojnë Shtetet e Bashkuara apo aleatët tonë të NATO’s”, ka shkruar Blinken.
Ndryshe, portali shtetëror e-Albania ishte në shënjestrën e sulmeve kibernetike në mes të korrikut dhe nuk funksionoi për disa ditë.
Qeveria shqiptare e njoftoi publikun se bëhej fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar dhe të sinkronizuar nga jashtë. Njoftimin se prapa sulmit kibernetik qëndronte Qeveria iraniane e bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të shtatorit. Më pas, të dy vendet i shkëputën marrëdhëniet diplomatike.
Diplomatët iranianë u larguan nga Ambasada në Tiranë, më 8 shtator, ndërkaq paraprakisht dogjën letrat dhe dokumentacionin në ambientet e Ambasadës. /Botapress.info/