Bletarët në pjesën perëndimore të Gjeorgjisë rrezikojnë shumë për ta kryer punën e tyre të përditshme. Ata ngjiten në shkëmbinj dhe drunj të lartë për ta grumbulluar lëngun e çmueshëm.
Mjalti Jara cilësohet si një ndër mjaltat më cilësore dhe më të pastra në botë. Ky lloj mjalti kultivohet vetëm në Malet Ajara, në pjesën perëndimore të Gjeorgjisë. Radio “Evropa e Lirë” ka publikuar një fotoreportazh të bletarëve të këtij rajoni.
Për çdo pranverë dhe vjeshtë, kur moti është i butë dhe i qëndrueshëm, bletarët e Ajaranit, afër kufirit të Gjeorgjisë me Turqinë, ngjiten në shkëmbinj për ta grumbulluar mjaltin, transmeton Gazeta Express.
Përpos shkëmbinjve, bletarët ngjiten edhe në drunj të gjatë, duke përdorur një teknikë të lashtë të grumbullimit të mjaltit. Teknika është aq e vjetër, saqë askush nuk e mban mend kohën e saktë se kur ka filluar të përdoret.
Kosheret e veçanta punohen me dru bliri, të cilët ndahen në dy pjesë dhe në brendi u krijohet hapësirë për të hyrë bletët. Ata vendosen në vende ku bletët mund t’i gjejnë, zakonisht thellë në pyje.
Sidoqoftë, disa bletarë i vendosin kosheret afër shtëpive ku jetojnë në mënyrë që të kenë qasje më të lehtë dhe ku mund t’i mbrojnë nga dëmtuesit e mundshëm.