Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe kryeministri Albin Kurti dhanë deklarata laramane karshi çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe më 3 prill në territorin e Kosovës. Shefi i Bislimit e pa si destabilizuese mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe kërkoi respektimin e Kushtetutës, ndërsa numri i dy i Qeverisë kërkoi nga Beogradi t’i dërgojë kërkesë zyrtare e marrëveshje karshi kësaj çështjeje.
Kryeministri Kurti, përgjatë konferencës së përbashkët me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, duke u përgjigjur rreth zgjedhjeve të 3 prillit të organizuara nga Serbia, ka thënë se duan të respektojnë Kushtetutën e Kosovës, pa u ndaluar qytetarëve të vendit me pasaporta serbe të votojnë atje.
“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti, ndërkaq nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara, mund të ketë dikush që dëshiron destabilizim, që dëshiron eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as institucione të Republikës, jemi në kontakte me Brukselin, edhe me ambasadat e QUINT-it, me kryeqytetet kryesore evropiane, gjithashtu natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ai.
“Dhe besojmë që nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses”, paralajmëroi gjatë fjalës së tij kreu i Qeverisë.
Megjithatë, për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, me një gjuhë kaq kundërshtuese nuk ka folur zëvendësi i Kurtit. Bislimi në një intervistë për ‘Kossev’, medium serb që operon në Kosovë, ka thënë se për këtë çështje Serbia duhet të bëjë një kërkesë zyrtare tek Kosova, për t’i mbledhur votat, dhe pastaj për këtë duhet të lidhet një marrëveshje.
“Në fakt, jo zgjedhje, sepse nuk do të kishte fushatë, por për të mbledhur vota në territorin e Kosovës”, citohet të ketë thënë Bislimi.
Për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Kurti ka marrë telefonata të njëpasnjëshme nga SHBA-të. Së fundmi, shefi i Qeverisë është telefonuar nga Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Ky i fundit ka thënë se ka biseduar me Kurtin për mundësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë.
“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot. E falenderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, shkroi ai në ‘Twitter’.
Rreth një muaj më parë, kryeministri Kurti bisedoi në telefon me Chollet për të njëjtën çështje.
Qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë brenda territorit kosovar, në janar të këtij viti dhe kuvendi pati miratuar rezolutë për këtë çështje.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”../Botapress.info/.