Me kërkesë të opozitës, sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.
Në këtë seancë, të iniciuar nga PDK-ja, do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.
Në arsyetimin e kësaj seance, opozita ka kërkuar që deputetja e VV-së të sqarohet lidhur me bisedën e saj me kriminelin serb.
Inicuesi i kësaj seance, PDK-ja, para deputetëve do të paraqes një draft-rezolutë ku do të kërkohet të ndërmerren masa ndaj deputetes së VV-së, të cilës dje i është publikuar edhe një pjesë tjetër e bisedës me kriminelin Milan Radoiçiq.
Në piken e parë të draft-rezolutës kërkohet që Prokurori i Shtetit të nis ndjekjen penale ndaj Kusari-Lilës.
“Kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, që të iniciojë hetime penale në përputhjen me legjislacionin në fuqi ndaj kryetares së Grupit Parlament të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, lidhur me komunikimet e saj me Milan Radoiçiqin”, thuhet në piken e parë të dokumenti.
Kurse, në piken e dytë kërkohet nga VV-ja që të merren masa ndaj.
“Kërkon nga Grupi Parlamentar i LVV-së shkarkimin e Mimoza Kusari-Lilës nga funksioni i kryetares se grupit parlamentar”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abelard Tahiri, ka shkruar se biseda e Kusari-Lilës me Radoiçiqin është një turp, i cili nuk mund të kalojë.
“Në emër të 42 deputetëve, sapo dorëzova në Kuvend kërkesën për Seancë të Jashtëzakonshme për ditën e nesërme nga ora 12:00, lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e kësaj Republike, për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës. Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje”, ka shkruar ai.
Ai e ka ftuar deputeten e VV-së që t`i publikojë çfarëdo fotografie që ka për opozitën.
“Njëherit, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahjen këtij mega skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat. Populli nuk meriton mjegull. Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij”, ka shkruar Tahiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetja e VV-së duhet të sqarohet për disa çështje.
“Qytetarët duhet ta dinë se për çfarë kushtesh është negociuar me kryekriminelin, terroristin dhe iniciuesin e sulmit ndaj shtetit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ndaj personit që është në listën e zezë të ShBA dhe i cili akuzohet nga rendi ynë kushtetues si urdhëruesi, udhëheqësi i sulmit terrorist dhe i cili është përgjegjës për vrasjen e heroit të kombit, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, duhet të dihet se cili është pazari i kësaj bisede.
“Qytetarët duhet të informohen se cili ka qenë pazari i këtij negocimi. Aty nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet. Nuk flitet për çështje të cilat trajtohen në kuvend në raport me dy të tretat. Aty diskutohet për një ligj, i cili prek secilin njeri të këtij vendi – pagën minimale, dhe shihet qartë që ka qenë një kushtëzim, një pazar rreth largimit të vlerës sonë më të madhe kombëtare – luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur ai, duke shtuar se në Kuvend duhet të këtë transparencë.
“Ne duhet ta dimë dhe ta kemi transparencën në këtë kuvend, se ky koordinim a është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës. Që nga nisja e kësaj legjislature, na është thënë se nuk ka koalicion me Listën Serbe, nuk ka asnjë marrëveshje me ta. Përgjimet vërtetojnë se ka ndodhur një marrëveshje e thellë dhe në thelb kundër disa vlerave që lidhen me të mirën publike, të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Tahiri.