Gjatë gjashtë muajve të kaluar satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”, të dërguar në hapësirë kanë arritur të mbulojnë me imazheri 47% të territorit shqiptar.
Në një konferencë me praninë e disa ekspertëve për Shërbimin Satelitor zëvendës/kryeministrja Belinda Balluku tha se satelitët po përdoren për monitorimin e përmbytjeve, zjarreve, tërmeteve si dhe llogaritjen e dëmeve.
“Realizimi i shërbimit satelitor është një tjetër sfidë, me të cilën jemi përballur me dëshirën më të madhe. Sot është një realitet dhe Shqipëria do të përfitojë maksimalisht, për të mbledhur informacion për tokën, ujin, nëntokën, ajrin, detit, çdo informacion që është me vlerë për të gjithë sektorët.
Jemi bërë vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë, që kemi satelitë. Shërbimi satelitor do t’i mundësojë qeverisë autoritet të plotë menaxhimi”, tha Balluku.
“2 satelitët e Shqipërisë në hapësirë, sollën pamje të dëmeve nga zjarri në Ishullin e Sazanit. Përmbytja në qarkun e Shkodrës nëntor të 2022 nga reshjet e shumta. Siç dihet Buna është një prej lumenjve ka predispozitë më të lartë për të shkaktuar përmbytje. Shërbimet satelitore na kanë ndihmuar për të parë sasinë e përmbytjes, dhe imazhet kanë shërbyer për të gjetur gjërat faktike nga terreni. Imazhet satelitore janë një mjet mjaft efektiv për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.”- tha drejtoresha e Agjencisë kombëtare të Mbrojtjes Civile./Botapress.info/