Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë filluar të tërhiqen nga veriu i Kosovës sipas marrëveshjes së Bratislavës për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe me këtë, edhe një kusht i Kurtit është përballur me pamundësinë e qëndresës.
Në një konferencë për media të gati një muaj më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se policia e Kosovës nuk mund të largohet nga komunat veriore të Kosovës përderisa nuk ka sundim të ligjit që i largon “ekstremistët e grupet kriminale” nga veriu, shkruan Botapress.info
“Atë policin që e kanë vrarë”: Qysh e ofendoi Kusari veprën e heroit Enver Zymberi?
“Unë nuk mund të shndërrohem në shkelës të ligjit këtu në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë… Vetëm kur kjo të ndodh, kur të kemi sundim të ligjit që i largon këto trazira të dhunshme, këta ekstremistë e grupe kriminale në mënyrë graduale dhe proporcionale do të mund ta zvogëlonim ne praninë e policisë tonë në këto ndërtesa”, deklaronte Kurti.
Hiç më larg se një javë më parë, Kurti sërish kishte deklaruar se policia nuk mund të largohet nga ndërtesat, sidomos pasi gjetjes së municionit në një veturë me targa të Serbisë.
“Për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq, kjo kryhet me zgjedhje. Pika e parë e kryen edhe të dytën, sa i përket pikës së tretë, policia jonë është në ndërtesë sepse ju e dini çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë ose tash kemi këto informacionet se veturat e ambulancës janë përdorur për të bartur armatim dhe unë sot do ta kem një takim edhe me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë, do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it gjeneral majorin Risstuccio dhe pas këtyre takimeve edhe me organet tona të sigurisë do të mund ta japim fjalën përfundimtare, jemi duke grumbulluar të dhëna, informacion dhe nuk është mirë të jap informacion për informacionin e padetajuar. Sot kam një takim ku do të shtrohet edhe kjo temë dhe në këtë mënyrë unë besoj që kemi treguar gatishmërinë dhe interesimin tonë për deeskalim” tha Kurti.
Por, këto qëndrime të Kurtit nuk qëndruan gjatë. Të mërkurën në mbrëmje, u konfirmua për Paparaci.com se policia e Kosovës nisi reduktimin e trupave pranë objekteve komunale në veri të Kosovës.
Përtej kësaj, gjatë javës së ardhshme, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq do të takohen në Bruksel për të diskutuar lidhur me hapat e tjerë për shtensionimin e situatës në veri dhe për të vazhduar bisedimet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. /Botapress.info/