Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, sot do të udhëtojë në Evropë, për të diskutuar me liderët evropianë dhe aleatët e NATO-s për luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Nesër do të udhëtoj në Evropë për t’u takuar me aleatët dhe partnerët tanë, fiks një muaj pasi Putini intensifikoi luftën e tij brutale në Ukrainë”, shkroi Biden në rrjetin social ‘Twitter’.
Biden gjatë qëndrimit në Evropë do të takohet me liderët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ai po ashtu pritet të takohet me krerët e Polonisë, shtet që deri më tani ka pranuar më së shumti refugjatë nga Ukraina.
Raportohet se SHBA po përgatit sanksione kundër më shumë se 300 anëtarëve të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë.
“Nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar se kë do të sanksionojmë dhe sa do të sanksionojmë”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
“Ne do të kemi masa shtesë sanksionesh për të njoftuar që do të zbatohen së bashku me aleatët tanë të enjten kur Presidenti të ketë mundësinë të flasë me ta”.