Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë pak pas orës 19:00 në fshatin Koshare të komunës së Ferizajt. Aty si pasojë e një aksidenti kanë humbur jetën katër persona. Dy të tjerë janë lënduar, në mesin e tyre edhe një grua 27-vjeçare e cila është në javën e 22-të të shtatzënisë.
Shtatzëna po trajtohet në QKUK saktësisht në mjekimin intensiv të këtij institucioni shëndetësor.
Për Nacionalen nga kjo Klinikë dhanë detaje për gjendjen shëndetësore.
Hoti: Kushtet e Kurtit për Asociacionin janë sa për ta ruajtur ftyrën
Shefi i Intensives Qendrore, dr,Shaqir Uka tha pacientja në fjalë për momentin është në gjendje stabile por me lëndime mjaftë serioze.
“Pas aksidentit që ka ndodhë në rrugën Ferizaj-Shtime është sjellë mbrëmë në Qendrën Emergjente pas lëndimeve që i ka marrë në aksident. Është krye ekzaminimi, trajtimi emergjent. Dhe pas mesnatës është sjellë në Mjekimin Intensiv Qendror. Gjendja e saj është relativisht stabile me lëndime mjaftë seriozë në shiqim të parë,”- i tha Uka Nacionales.
Tutje ai sqaroi edhe për lëndimet të cilat i ka marrë 27-vjeçarja.
“Ka lëndime në regjionin e kokës të gjoksit, ekstremiteteve,”- tha doktori.
E një lajm i mirë në gjithë këtë fatkeqësi është se foshnja që gruaja mbanë në bark e që është në javën e 22-të, është për momentin në gjendje të mirë. Ajo në mëngjes u kontrollua nga gjinekologu.
“Foshnja sipas të gjitha ekzaminimeve që i kemi ba në minutat e fundit është mirë. Është 22-javëshe të shtatzënisë,”- tha doktori.
E mjekët e QKUK-së kanë shpresë se trajtimi i shtatzënës do të shkojë mirë.
“Pacientja është e vetëdijshme. Po shpresojmë që do kalojë mirë. Po shpresojmë që po nëse gjatë rrugëtimit të trajtimit nuk na ndodhë diçka,”- shpjegoi tutje doktori.
E personi tjetër i lënduar në këtë aksident tragjik, është në gjendje stabile. Ai lëndime mori vetëm në krah.
Çka ndodhi mbrëmë?
Një 21 vjeçar, një 23 vjeçar dhe një 40 vjeçar tjetër vdiqën tragjikisht pas një aksidenti të tmerrshëm të mërkurën mbrëma në fshatin Koshare të Ferizajt.
Lajmi është konfirmuar për gazetën Nacionale nga zëdhënsi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se na aksident ishin të përfshira tri automjete.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në dalje të fshatit Koshare të Ferizajt, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti, 4 persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.” – tha ai.
Dyshimet e para sipas policisë janë se aksidenti ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga tri veturat e përfshira për arsye deri më tani të panjohura, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka goditur dy veturat tjera, të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka njoftuar se njëri nga viktimat është 21-vjeçar, tjetri 23-vjeç derisa dy viktimat tjera janë të moshës rreth 40 vjeçar.
Lidhur me aksidentin tragjik ka reaguar kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, duke e ka quajtur të mërkurën ditë të kobshme. Ai shprehur ngushëllime për humbjen e katër të rinjve.
“Me keqardhje dhe pikëllim të madh po ndjek lajmet për aksidentin tragjik të ndodhur në hyrje të komunës së Shtimes, ku humbën jetën katër të rinj. Familjarëve të viktimave iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta kurse lutemi që të lënduarit të shërohen sa më shpejt”, është shprehur Aliu.