Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje me padi, pasi një foto e tij figuronte në një video që partia në pushtet e publikoi para pak ditëve ndërsa e titulloi “Çka ka, çka s’ka”.
“Ku e merr guximin ai njeri që e ka bërë atë video që ta vendosë fotografinë time në një video inkriminuese e të më fyejë. Ku e merr guximin ai ta vendosë fotografinë time e t’i krijojë shqetësim familjes sime dhe rrethit familjar tim, kur unë kurrë në jetë as sa kam qenë në funksion publik nuk kam keqpërdorur asgjë.
Le të del Vetëvendosja e të thotë vetëm një element që e kam keqpërdorur. Kam qenë zv. kryeministër e kurrë nuk kam bërë asnjë keqpërdorim, gjeni vetëm një keqpërdorim që kam bërë, gjeni vetëm një njeri që kam shti në punë.
Qysh ju duket ju deputet me ju vendos një parti politike foton e juaj në video inkriminuese nëse ju s’keni keqpërdor asgjë. Nuk lejoj me kalu kjo. Kërkoj nga Vetëvendosja me largu foton time, përndryshe do të përdori gjitha mekanizmat ligjor në vend dhe kudo, për me detyru Vetëvendosjen me tregu çfarë kam keqpërdor unë. Prej Vetëvendosjes pres reagim me largu fotografinë, përndryshe do të angazhohem në gjykatë me trajtu këtë temë”, ka thënë Tahiri në seancë të Kuvendit.