Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti pse s’janë arrestuar personat që janë ekspozuar me fotografi si të implikuar në bllokimin e rrugëve në veri, raporton Gazeta Botapress.
“Kryeministër, na tregoni pse s’janë arrestuar dy personat që ju i keni paraqitur si persona të implikuar në ngjarjet në veri të cilët i keni prezantuar me foto”, ka pyetur Berisha.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se Prokuroria Speciale në raportin e saj ku janë të përfshirë dy persona është në procedura të hetimit dhe pas kompletimit Prokuroria do të veprojë në pajtim me ligjin.
“Pushteti gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv s’mund të ndërhyjë në këtë të fundit dhe na duhet të mbështetemi në tërësi në profesionalizmin e prokurorisë speciale. Bazuar në informacionin e prokurorisë speciale, drejtoria për hetimet e krimeve të rënda është duke e hetuar bllokimin e rrugëve në veri, për veprat penale sulmi kundër rendit juridik kushtetues, thirrje për rezistencë, pjesëmarrjen në grup të organizuar për kryerjen e veprave penale. Poashtu prokuroria speciale ka dërguar raportin informues për bllokimin e dy pikave kufitare, ndërkaq raportin përmbledhës informues me datë 15 tetor 2021 në të cilën janë përfshirë edhe personat e dyshuar, Vradislav Dajkoviq nga Mali i Zi dhe Igor Braunoviq nga Zdrenjanini në Serbi dhe në këtë fazë janë duke u shqyrtuar ende procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi për të sjellë drejtësi”, tha Kurti.