Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka deklaruar se nisma për mini-Shengenin ishte rivendosja e hegjemonisë serbe në rajon. Ai tha gjatë “foltores” në Fier se kësaj here kroatët dhe sllovenët nuk kthehen në mini-Shengen, por do të futen shqiptarët, pasi kështu dëshiron kryeministri Edi Rama.
“Ne nuk jemi kundër bashkëpunimit, por a mundet që ne të pranojmë bashkëpunimin që rrethon Kosovën me armiqësi dhe e bën Shqipërinë një shtet vasal? Fermerët e mbarë Shqipërisë do të detyrohen të punojnë si argatë në fermat e Serbisë. Këtë nuk e pranojmë kurrë. Ndaj, e kundërshtuam. George Soros e pa që në këtë çështje ka kundërshtar të pathyeshëm”, tha Berisha.
Berisha ndërkaq i është kundërpërgjigjur edhe ambasadores amerikane Yuri Kim nga “Foltorja” në Fier, pas intervistës së saj në media ku shprehej se “në momentin kur dikush përcaktohet nga sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.
“Ambasadorja deklaroi para disa ditësh se habitet se si njerëzit bëjnë të paditurin. Zonja ambasadore i ka thënë Lulzim Bashës se Berisha e di për dosjet, por nuk i beson ato dosje. DASH ka deklaruar se ka marrë vendimin mbi bazën e raporteve të qeverisë së Edi Ramës. Rama, dy vjet me radhë, ka çuar me dhjetëra vendime të qeverisë, që i ka kthyer qeveria e tyre si të pabaza. Unë nuk them se nuk ka dosje, por them që është shpifje. Ju them me bindje të gjithëve: unë do të futem në Parlament pa asnjë diskutim”, tha Berisha.
Ai përsëriti edhe një herë ndjesën ndaj demokratëve për faktin që ka mbështetur Bashën.
“Unë do të kërkoj falje sepse qindra mijëra prej jush keni mbështetur Bashën nga mbështetja që i ka dhënë Sali Berisha. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Por, ka dhe një të vërtetë tjetër: çdo gjë që keni menduar ju për të, Lul Bashës ia kam thënë pa nxjerrë kurrë autorin. Ia kam thënë në 2017 që të jepte dorëheqjen. I kam thënë që me ato që kishte bërë, nuk ngrihej më”, theksoi Berisha./Botapress.info/