Kryeministri Albin Kurti sot mori vendimin që në vendin që e lëshoi Goran Rakiq ta emërojë Nenad Rashiqin ministër për Komunitete dhe Kthim.
Zënia e vendit në krye të Ministrisë nga dikush që s’e ka nën kontroll Serbia, iu ka penguar zyrtarëve nga Beogradi.
Për këtë drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është ankuar BE-së, raporton Gazeta Express.
“Asociacioni është zotim që e ka ndërmarrë Kurti dhe nuk i shpëton dot! Fakti që në mënyrë të paligjshme zgjodhi serbët mikë për të kompletuar pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë dhe parandalimin e formimit të Asociacionit është çështje e BE-së. Kurti nuk mund të shfuqizojë Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar në Twitter Petkoviq, duke e etiketuar në fund emisarin Lajçak.
Partia që e kryeson Goran Rakiq pas emërimit të Rashiqit në këtë post paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës.
“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, gjë që nuk e ka bërë Albin Kurti, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në njoftimin e Listën Serbe, derisa Rashiqin e akuzuan si serb besnik të Kurtit që para interesave të popullit të tij ka interesin personal.