Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, dje doli në një konferencë para gazetarëve, me disa dokumente në dorë për të cilat tha se janë kontrata të nënshkruara nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu.
“Bëhet fjalë për 4 kontrata kornizë për mirëmbajtje verore dhe dimërore të cilat janë nënshkruar nga ish-zyrtari i kësaj ministrie Nexhat Krasniqi dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, ku sipas deputetit Berisha ishin nënshkruar pasi që Krasniqi ishte shkarkuar si shef i zyrës së prokurimit në këtë ministri. Si ka mundësi që zyrtari i shkarkuar të nënshkruajë kontrata me vlerë qindra mijë euroshe, për derisa ishte i shkarkuar”, tha Berisha dje.
Këtyre deklaratave i është përgjigjur zëvendësministri Hysen Durmishi, i cili dokumentet e prezantuara nga Berisha i quajti “do letra”, duke mohuar se ka nënshkruar kontrata.
“Ja kish dhënë dikush do letra Bekë Berishes e ky i shkreti nuk dinte as me i lexu. Nuk i kam nënshkru katër kontrata në vlerë rreth 400 mijë euro o Bekë Berisha sepse me ligj zv. Ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro. Ato katër kontrata që po i përmend ti e kanë vlerën 12 milion euro. I kishim të planifikuara 16.5 milion euro për mirëmbajtjen e autoudhëve dhe arritëm që të nënshkruajmë kontrata për vetëm 12 milion euro. Ky do të duhej të ishte lajmi në fakt. Nuk ka me vjedhë më Bekë. Boll keni vjedhë Bekë Berisha”, ishte përgjigjja e Berishës.
Berisha edhe sot përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë disa dokumente, duke thënë se ato janë versioni origjinal.
“Hysen Durmishi ky është versioni origjinal”, ka shkruar Berisha.