Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shkruar i nervozuar në llogarinë e tij në Facebook, për shkak të dëmeve të mëdha që po i shkaktohen mjedisit kudo në Kosovë. Shqetësimin e tij e ka shprehur edhe me figurat (emoticon) në reagim, që janë indikacion i gjendjes emocionale, kur përdoren.
“ALARMANTE”, është fjala me të cilën Pacolli e ka nisur reagimin e tij, duke thënë se deri tani nuk po vërehet asnjë përpjekje për ta shpëtuar mjedisin, që hyn në kuadër të resorit të MMPH-së, ku ministër është Liburn Aliu.
“ALARMANTE! Nuk po vërehët asnjë përpjekje për të shpëtuar MJEDISIN ku jetojmë! Pyjet po priten, fushat po shkatërrohen, shtretërit e lumenjve janë mbushur me mbeturina… Nuk di si t’ua shpjegoj këtë fëmijëve tanë!”, ka shkruar Presidenti i AKR-së.
Ai ka pyetur se si ndihen përfaqësuesit e institucioneve përballë kësaj fatkeqësie mjedisor.
“Nga ana tjetër jam kurioz të di si ndihen përfaqësuesit e institucioneve kompetente përballë kësaj fatkeqësie! Në botën e civilizuar këta përfaqësues thirren të japin llogari për mospërmbushjen e detyrimeve të tyre!!!”, ka shkruar Pacolli, transmeton Gazeta Botapress.info