Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i kërkojë Kosovës që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu që, pa vonesa të mëtejshme, dorëzon në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin evropian.
Kjo qëndron në draftin e konkluzave për Kosovën, të cilat do të miratohen më 17 dhjetor gjatë takimit të ministrave të ngarkuar për çështje evropiane.
Bëhet fjalë për konkluzat që i përkasin zgjerimit e të cilat BE i miraton çdo vit në muajin dhjetor. Të njëjtat kokluza të ministrave, më pas, i mbështete niveli më i lartë politik, ai i liderëve të BE-së në samitin e rradhës.
Në draft konkluza thuhet se Këshilli i BE-së, mirëpret që Kosova dhe Serbia së fundmi rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe u zotuan për angazhim konstruktiv në këtë proces për ta çuar atë përpara më shpejtë.
Përsëritet domosdoshmëria e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut, përfshirë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit.
Këshilli i BE-së rithekson se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në kuadër të dialogut.
Shprehet shqetësimi i thellë për situatën në veri. Kërkohet nga Kosova si dhe Serbia të ndjekin përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të shmangin retorikën përçarëse.
Këshilli dënon sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës, dhe solidarizohet me njerëzit e prekur.
“Këshilli pret që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Në këtë drejtim, Këshilli u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet përkatëse”, thuhet në draft konkluzë.
Gjithashtu do dënohen aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023, si dhe sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.
Këshilli i BE-së megjithatë konfirmon se masat e vendosura ndaj Kosovës vazhdojnë të mbesin në fuqi.
“Masat e zbatuara ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës mbeten në fuqi. Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme të heqë masat e saj, në rast se kërkesat e BE-së në këtë drejtim përmbushen”, thuhet në draftin e konkluzave.
Këshilli i BE-së rithekson rëndësinë dhe mbështetjen e tij për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nënvizon gatishmërinë për t’i ndihmuar këto institucione në zbatimin e mandatit të tyre.
Në konkluzat e BE-së, që do miratohen më 17 dhjetor, mirëpritet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe reformat përkatëse.
Vërehen pozitivisht përparimet në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht përmes rritjes së bashkëpunimit me Europolin. Përmendet përparim i kufizuar në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Kërkohet nga Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar llogaridhënien, pavarësinë, efikasitetin dhe integritetin e sistemit gjyqësor, për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për të siguruar që legjislacioni në këto fusha të përputhet plotësisht me legjislaturën e BE-së si dhe standardet evropiane.
Këshilli do e mirëpret zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Gjithashtu do mirëpriten hapat e ndërmarra nga Kosova drejt përmbushjes së zotimeve të saj në CEFTA, duke përfshirë heqjen e vendimit të saj për ndalimin e importit të mallrave me origjinë serbe, i cili, siç thuhet në draft “duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht”, raporton televizioni publik.
Kosova gjithashtu do lavdërohet fuqishëm në dënimin e luftës dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përafrimin e saj vullnetar të vazhdueshëm me politikën e jashtme evropiane dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së, që është, një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të Kosovës dhe e vendit të saj në një bashkësi vlerash.



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në