Pak ditë më parë, më saktësisht të shtunën, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në prani të Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, bëri të ditur se Ligji për të huajt do të zbatohet me disa masa, e jo siç ishte paraparë në fillim. Kurti u pajtua që për serbët që përdorin dokumente të strukturave paralele të jepet ende kohë.
Me t’u pranuar kërkesa e BE’së, Kurtit ‘iu dhanë lulet’ e tij, nga aleatët perëndimor. BE’ja me zyrtarët e saj, përshëndetën veprimin e kryeministrit, i cili brenda Kosovës u cilësua si ‘‘kompromis’’ e, ‘’lëshim pe’’ nga lideri i ekzekutivit.
Një reagim i tillë, me kritikë të ashpër ndaj Kurtit u bë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. Në komunikatën e saj për media, PDK, vlerësoi se Kurti ‘’ po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë’’, dhe se, kompromiset e Kurtit, po cenojnë sovranitetin e Kosovës.
‘‘Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, përmes të cilave po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës. Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës. Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës’’, u tha ndër tjerash nga PDK’ja, përcjell Express.
Deklarime lidhur me këtë çështje ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, anipse jo në formë si ajo e PDK’së.
Nga LDK, ka reaguar Avdullah Hoti. Hoti në postimin e tij, tha se, Kurti e ka ‘’braktisur dialogun për njohje reciproke’’, por që tani, kryeministri ‘’detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele’’.
‘‘Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele. Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je.’’, ka shkruar mes tjerash Hoti.
Ndërsa nga ana e AAK’së, ka reaguar shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri. Ky i fundit, vlerësoi se me kompromiset e Kurtit, ‘’Serbia doli sërish përfituese’’.
‘‘Vendimi i sotëm i kryeministrit duhet parë nga dy pyetje kryesore:
1. A është vendim ad hoc, “për hatër”, apo pjesë e një premtimi të mëhershëm të qeverisë? 2. Dialogu me Serbinë i lehtësuar nga BE-ja a ka strategji dhe synim të qartë, dhe mbi të gjitha: çfarë fitoi Kosova?
Për mua përgjigjet janë të qarta. Me lëshimet për Ligjin për të Huajt, kryeministri bëri një tjetër koncesion, ndërsa Serbia doli sërish përfituese dhe e kënaqur me dakordimin.
Modeli po përsëritet: fillimisht retorikë e ashpër kundër dialogut, pastaj kritika nga partnerët ndërkombëtarë, dhe në fund koncesione në rënie të lirë në shpinë të Kosovës.
Në fund: Kurti i kënaqur, BE-ja e kënaqur, Serbia përfiton, e Kosova kërkah’’, ka shkruar Tahiri.
Një reagim ka ardhur edhe nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ku është thënë mes tjerash se, Kurti, sipas tyre, ‘’ka negociuar hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës’’.
‘‘Qeveria Kurti po e rikonfirmon vazhdimisht se e gjithë retorika e saj për “sovranitet” dhe “mbrojtje të shtetit” ka qenë vetëm propagandë për konsum politik. Në praktikë, kjo qeveri e ka izoluar Kosovën nga aleatët e saj kryesorë dhe tani po përfundon duke bërë pikërisht kompromiset për të cilat për vite të tëra i ka akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare’’, thuhet në komunikatën e OVL’së.
Porse, duket se reagimet kritike ndaj Kurtit e kanë ‘penguar’ BE’në, ose të paktën, i ka kapur në ‘‘befasi’’ ata. Kështu të paktën kanë thënë nga BE’ja për Kohën, në një përgjigje të disa ditëve më parë për këtë medium.
Të pyetur për reagimin e PDK’së, BE’ja tha se janë të ‘’befasuar’’, duke shtuar se, ‘‘PDK ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe ndaj Dialogut’’.
“E shtuna ishte një ditë e mirë. Jemi shumë të kënaqur me qasjen konstruktive të treguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga Kryeministri Kurti, i cili demonstroi qartë përkushtimin e tij ndaj integrimit në BE. Siç e dini, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga faktorët kryesorë për të dyja palët në rrugët e tyre përkatëse drejt integrimit në BE. Jemi disi të befasuar nga reagimet për të cilat po referoheni. PDK-ja ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe ndaj Dialogut, duke marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociata, si dhe në nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve”, u tha në përgjigjen e tyre ditën më parë.
Kjo përgjigje ‘befasuese’ nga BE’ja s’kaloi pa u komentuar. Gjë e cila u bë edhe mbrëmë në Pressing në T7. Aty, njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Burim Ramadani, tha se ka pasur mesazhe e takime nga një numër ambasadash në mënyrë që Kurti të mos kritikohet.
‘‘Na ka hy në fjalor fjala marrëveshje, por kjo s’është marrëveshje, këtu s’ka marrëveshje, për shkak se me pas marrëveshje duhet me pas dy palë të cilat e kanë një interes të përbashkët. Kjo është rënie pre e një presioni jashtëzakonisht të madh që ka ndodh, sidomos në dy javët e fundit, kulmi ka ndodh me 11/12 mars, kur ka hy në lojë edhe kreu i kishës serbe, ka shkru letra dhe ka pasur komunikim me një numër shumë të madh të kancelarive evropiane, aty ka qenë kulmi i presionit që ju ka bë Kurtit dhe qeverisë. Këtu marrëveshje nuk ka, këtu ka vetëm dorëzim para një kërkese të Serbisë. Politikisht ka qenë disfatë për Kosovën, teknikisht është antiligjore sepse nuk ka asnjë vendim asnjë procedurë për ndryshim të ligjit, dhe me këtë lëshim pe, është ndryshu ligji në zbatim. Qeky vendim me leshu pe nën presion, ka qenë kryesisht për shkak të rolit tepër të madh që ka pasur patriarku Porfirije i kishës serbe e sidomos në dy javët e fundit. Në anën tjetër, është interesant, që një numër ambasadash kanë leshu mesazhe, kanë bë takime kanë fol me njerëz se qysh mos me reagu, se finally [ më në fund ], përfundimisht Kurti po bëhet djalë i mirë, po bëhet konstruktiv edhe mos e prishni’’, ka thënë ai mbrëmë.
Ndryshe, pas takimit Kurti-Sorensen, qeveria u pajtua që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët nuk kanë dokumente të Kosovës, si edhe, t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.



Të tjera
Aktuale
Arrestohet një person për shpëlarje parash, dyshohet për mashtrime në Kosovë dhe Gjermani
Një person është arrestuar sot, nën
Lajme
Kurti e emëron Igor Mitiq zëvendësministër të Bujqësisë
Kryeministri Albin Kurti ka emëruar Igor
Aktuale
Sorensen në NATO, Shekerinska: Aleanca vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi,