Këshilli i qytetit të Barcelonës e ka instaluar trotuarin e parë në Spanjë që do të prodhojë energji solare si pjesë e objektivave për të pasur zero gazra karboni deri në vitin 2050. Ndërkohë trotuaret në Kosovë ende vazhdojnë të shfrytëzohen kryesisht për parkim të veturave.
Trotuari i veçantë është në sipërfaqe prej vetëm 50 metrave katrorë dhe u instalua në një park të vogël në zonën Glories. Sidoqoftë, nga kjo hapësirë pritet të prodhohen 7.560 kilovatë energji në vit, që mjafton për furnizimin e tri shtëpive.
Autoritetet lokale kanë kontribuar me 30 mijë euro për këtë projekt, ndërsa pjesën tjetër e ka mbuluar prodhuesi i paneleve solare. Qëndrueshmëria e projektit do të vlerësohet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Eloi Badia, zyrtar përgjegjës për emergjenca klimatike dhe tranzicion ekologjik në Këshillin e Barcelonës, tha se është vështirë të vlerësohet se sa do të jetë përfitimi nga ky investim, sepse është vetëm një pilot-projekt, por se autoritetet kanë vullnet që të instalojnë më shumë panele të tilla në kulme, ndërsa nëse tregohet sukses, edhe në tokë, për ta shfrytëzuar energjinë për ndriçim publik dhe në fusha tjera të nevojave publike.
Pavarësisht se kjo është një ide relativisht e re, Barcelona nuk është qyteti i parë që realizon projekt të tillë. Në vitin 2014, në qytetin Utrecht të Holandës u shtruan 25 metra me panele solare në shteg biçikletash.
Gjatë pushtetit të kaluar konservator, instalimi i paneleve solare ishte ndërprerë papritmas, pasi autoritetet kishin vendosur taksa ndëshkuese për ata që zgjedhin këtë mënyrë të prodhimit të energjisë. Në vitin 2018, koalicioni socialist e largoi taksën kundërthënëse, duke nxitur “shpërthim” të paneleve solare. Tash, Spanja radhitet e njëmbëdhjeta në botë për energji solare dhe e teta për energji të ripërtëritshme./Botapress/