Zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe reflektimi i kësaj lufte në rajon dhe në vendin tonë, më kthejnë në retrospektivë të kohës së shkollës fillore.
Arsimtari i Historisë ndër te tjerash na shpjegonte dy teori që, nga perspektiva e sotme, më ngjajnë të jenë parolla të influencës së sistemit politik të kohës, këtu e 40 e sa vjet më parë.
Arsimtari ynë i nderuar, që sot mbase mund të jetë në amshim, ndër të tjerash na thoshte:
E para: Feja është opium për popullin.
E dyta: Pakti i Varshavës (Aleancës ruse) është më i fortë se Pakti i Perëndimit (Vendeve anëtare të NATO-s).
Kur i kujtoj këto dy thënie “xhevahirë” të asaj kohe më vjen të qesh më tepër se sa të vjellë!
Realiteti i sotëm e ka demantuar arsimtarin tonë të mirë të lëndës së Historisë.
E realiteti i sotëm thotë:
Politika e jo feja është opium për popullin. Pra sot kush rren ma mirë ai fiton ma shumë. Ai qe rren hijshëm e mashtron (i jep opium deri në delerium) popullit dhe fiton betejën politike.
Kështu ka qenë e kështu do të jetë!
NATO e jo Rusia janë garanci e paqes në botë, në Evropë dhe në rajon, posaçërisht në Ballkan dhe për vendin tonë.
Ata që thonë se FSK-ja ka kapacitet të mbrojë vendin nga agresioni eventual serb, rrejnë tepër shumë dhe e mashtrojnë bukur mirë popullin. Sipas renditjes së fundit në rangun global, Kosova renditet e parafundit me kapacitete ushtarake në botë.
Me rreth 3 ushtarë profesionalë e rreth 5 mijë rezervistë, e armatosur me armë të lehta, kryesisht kallashnikovë e snajperë, me disa picgauerë modernë të dhuruar nga vendet mike si SHBA e Turqia, pa asnjë tenkë, helikopterë apo avionë luftarakë, pa asnjë raketë me rreze të shkurta apo të mesme, del kryeministri ynë dhe thotë se për të fituar luftën, rol vendimtar ka faktori njeri!!! Dhe si shembull merr luftën në Ukrainë!
Kryeministri ynë e di mirë se Ukraina ka qene dhe vazhdon të mbetet vendi i dytë ne Evropë me armë berthamore e nukleare, se ka mbi 220 mijë ushtarë aktivë, se ka tanke, helikopterë e avionë luftarakë, se ka dhe po furnizohet me raketa moderne me rreze të ndryshme veprimi. Pra Ukraina ka faktorin njeri plus faktorin (mjetet) luftarake!
Me duarthatë e pa armë nuk luftohet e as nuk mbrohet vendi!
Pra, zyrtarët e lartë të vendit po shesin “opium” te populli duke rrahur gjoks se “…hehehehe ne nipat e Skendrbeut e djemtë e Adem Jasharit e bajmë luftën deri te Molla e Kuqe!”
Ky është mashtrim! Është rrenë e bukur patriotike! Shitet e shpërndahet më lehtë ne popull. Bile edhe populli “e blenë” pse e “han foren” ma lehtë!
Shaje Serbinë dhe lavdoje vetveten dhe fitorja është e sigurt.
E realiteti është krejt ndryshe.
Sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës e mbron KFORI-i, alias NATO e as FSK-ja e as kryeministri i Kosovës!
Ai ose ajo që nuk e pranon këtë realitet të vërtetë ose është mashtrues ose i/e mashtruar!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti e bekoftë NATO-n me SHBA-të në krye të kësaj aleance që garanton siguri e paqë në rajon dhe posaçërisht për Republikën e Kosovës!