Ditëve të fundit e sidomos dje ishim dëshmitarë të një euforie reagimesh ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë Kurti 2, Rozeta Hajdari e cila mori përsipër rolin e “zëdhënëses” së kryeministrit Albin Kurti dhe deklaroi se vendosja e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë nuk është zgjidhje e mirë dhe nuk është prioritet i saj si ministre.
Pas kësaj deklarate te ministres Rozeta Hajdari, alias të Kryeministrit Albin Kurti, u qua shumë pluhur e u bë shumë zhurmë në medie dhe në opinion duke e akuzuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen për ndryshim qëndrimesh e duke i dhënë komplimentin liderit të VV-së dhe kryeministrit të Kosovës si “mashtrues”.
Krejt këto reagime duket se i kanë nxënë “në gjumë” pjesën dërmuese të opinionit, të partive politike dhe të medieve e mbi të gjitha kanë shpërfaqur njohuritë e mangta për personalitetin dhe veprimtarinë e Albin Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje!
Pse po themi kështu?
Sepse nëse befasohesh sot për ndryshim të qëndrimit të VV-së e të Albin Kurtit, në rastin konkret për reciprocitetin, i bie që ose je mashtruar nga VV-ja e Kurti ose nuk e njeh dhe nuk e ke kuptuar në thelb konceptin dhe veprimtarinë e Veteëvendosjes e të Albin Kurtit prej se ka dalë në skenë VV-ja dhe Kurti!
Pra, vetëm nëse i hedh një sy aktivitetit dhe veprimtarisë së Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit prej themelimit të saj dhe aktivitetit publik e politik, atëherë nuk ke pse të befasohesh me “tërheqjen taktike” të kësaj partie politike dhe të liderit të saj që është edhe kryeministër i vendit.
VV-ja dhe Albin Kurti nuk janë tërhequr vetëm nga masa e reciprocitetit ndaj Serbisë!
Jo! Vetëvendosja dhe Albin Kurti janë tërhequr, hap pas hapi dhe kohë pas kohe nga të gjitha parimet fillestare të themelimit dhe të veprimtarisë së Vetëvendosjes!
Vetëvendosje e Albin Kurti nuk janë më kundër Pakos së Ahtisarit! Mbi 90% të ligjeve të Kosovës burojnë nga Pakoja e Ahtisarit e mbi bazë të këtyre ligjeve funksionon Qeveria e Koscvës me Albin Kurtin kryeministër!
Vetëvendosje e Albin Kurti nuk janë më kundër fusnotës. Ata (ministrat e VV-së) dhe AI (kryeministri Kurti) nënshkruajnë marrëveshje me fusnotë!
Vetëvendosje e Albin Kurti nuk janë më kundër pagesës së rrymës për serbët në Veri. Ai (ministri i Qeverisë Kurti) dhe ata (deputetët e Vetëvendosjes në komisionin parlamentar për buxhet dhe në Kuvend) e votojnë vendimin për ndarjen e 11 milion eurove për të mbuluar shpenzimet e energjisë për serbët në Veri!
Vetëvendosje e Albin Kurti nuk flasin dhe nuk bërtasin më kundër Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kundër Dialogut me Serbinë, kundër simboleve të Republikës së Kosovës ( imbajnë në zyre dhe ngriten në këmbë sa herë të infonohet himni i Kosovës), kundër votave që vijnë nga Seriba për zgjedhjet në Republikën e Kosovës, kundër Marrëveshjes së Uashingtonit….
Nuk ka më rrokullisje të kamionëve me mallra serbe, nuk ka më parolla “Bojktoto produketet e Serbisë”, nuk ka më “Duam bashkim kombëtar”, nuk ka më Drejtësi për Mona Balajn e Arben Xheladinin, Drejtësi për Astritin etj,etj,etj.
Në gjithë këtë rrugëtim për më shumë se një decenie të Vetëvendosjes e të Albin Kurtit ka shumë ndryshime, ka tepër ndryshime, ka ndryshime të mëdha.
Por, nëse kritikët e Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit, qofshin këta liderë politikë, gazetarë, mediume e qytetarë, vazhdojnë ta godasin Albinin dhe VV-në për ndryshim të qëndrimeve e parimeve themelore të tyre, ende pa i bërë 100 ditë të qeverisjes, atëherë lirisht mund të thuhet se të gjithë, në njëfarë mënyre ia bëjnë argatin Vetëvendosjes dhe ia shtojën reitingun Albin Kurtit!
Pra mos u befasoni për ndryshime qëndrimesh e parimesh të VV-së e Kurtit vetëm për 100 ditë!
Fundja të gjithë liderët e deritashëm dhe të gjitha partitë politike të Kosovës i kanë ndryshuar qëndrimet me të ardhur në pushtet!
Pse cka paskeni pritur ju nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti? Që të jenë ndryshe? Ndryshe nga PDK, LDK, AAK etj? Ndryshe nga Thaci, Veseli, Mustafa, Haradinaj, Limaj etj?!
Nëse keni pritur që VV-ja dhe Albin Kurti të jenë ndryshe nga partite e tjera politike dhe liderët e tjerë politikë, atëherë lirisht mund të them se jeni mashtruar! Dhe jeni mashtruar keq! Jeni mashtruar ju në masën mbi 50% të votueseve në Repbulikën e Kosovës.
Dhe meqenëse jeni mashtruar, atëherë duroni edhe pak këtë mashtrim që të jetë me i madh, me dinjitoz dhe më dëshpërues për të gjithë ju 50% -shi i votuesve dhe të tjerët!
Pra mos u befasoni për ndryshime qëndrimesh e parimesh të VV-së e Kurtit vetëm për 100 ditë!
Lerëni VV-në e Albinin që të gabojë edhe më shumë. Ai ka kohë të mjaftueshme. Ende nuk janë mbushur 100 ditë e ai e ka krejt mundësitë që të mbetet në pushtet për 4 vjet.
Deri atëherë, asgje nuk keni parë, çka do të shini në vazhdim!
është vetëm fillimi!
Një fillim jo i mirë për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin mund të jetë një fillim i fundit në të mirë të Republikës së Kosovës.