Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka folur për BQK-në që është pa Guvernator, Trustin pa Bord dhe 11 ministri që janë me ushtrues detyre të sekretarit.
Sipas saj, e gjithë kjo është e pashpjegueshme dhe se qeveria duhet të jetë e shqetësuar për këtë e po ashtu pyet se ku janë personat që i kanë votuar me 14 shkurt 2021, që nuk iu bashkëngjiten për të punuar.
“Është e pashpjegueshme. T’i kesh 11 ministri pa sekretar të përhershëm, me ushtrues detyre dhe t’i kesh plot agjensione të tjera dhe borde të kompletuara dhe disa institucione jofunksionale, siç është p.sh Komisioni për Ndihmë Shtetërore, i cili duhet të jetë një filtër për të gjitha subvencionet që jep qeveria, është e pashpjegueshme. Këta thirren edhe sot e kësaj dite në rezultatin e 14 shkurtit 2021, ata duhet vërtet të jenë të shqetësuar me mbështetësit e tyre, nga po vjen gjithë ky zhgënjim, njerëzit, profesionistët, qytetarët e Kosovës, të cilët në mënyrë masovike i votuan me 14 shkurt 2021, ku janë sot, pse nuk bashkëngjiten për të punuar në këtë institucione”, thotë deputetja për Gazeta Blic.
Bajrami thekson se njerëzit nuk aplikojnë për pozita nëpër institucione sepse e kanë humbur shpresën.
“Është çudi kur flet me zyrtarë të ministrive të ndryshme se si ata shpallin disa herë konkurse për pozita që janë kryeshef të agjencive, që janë sekretarë permanent, e të tjera dhe nuk aplikojnë njerëzit. Kjo është komplet e paprecedentë. Njerëzit e kanë humbur shpresën dhe po e shohin se meritokracia nuk vjen fare në shprehje, ndërkohë me gjasa ndërhyrjet politike në pozita të tilla janë aq të mëdha, sa që askush nuk do që të rrezikohet që të punojë për ta”.
Sipas saj, rasti me BQK-në është për keqardhje dhe se situatë siç është tani, ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme.
“Janë 11 ministri që ka sekretarë jo permanent, në anën tjetër kemi BQK-në pa Guvernator, e kemi rastin kur kryetari i Bordit po e luan rolin e ushtruesit të detyrës të Guvernatorit të BQK-së. Në bazë të ligjit thuhet se kjo ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme. Merreni me mend, nuk ka as zëvendës guvernator. Është për keqardhje. Në anën tjetër në kohën e luhatjeve të mëdha në tregjet financiare botërore, kemi Trustin Pensional pa vendimmarrje, pa Bord”, potencon Hykmete Bajrami.
Po ashtu, ajo përmend Trustin që është pa Bord dhe se nuk mund të bëhen investime, derisa për këtë duhet aprovimi i Bordit, e humbjet janë të mëdha.
“Ne e dimë se si funksionin deri diku investimi që bën Fondi Pensional të mjeteve tona investuara në Trust. Janë aset menaxher dhe kontraktues, të cilët i rekomandojnë bordit se ku duhet të investohet, ku duhet të blejmë aksione në periudha të caktuara, ku duhet t’i shesim ato, për shkak të performancës që kanë kompanitë ku Trusti ka aksione dhe që sa muaj po bëhen që në fakt aset menaxherial mund të ketë rekomandime të tilla dhe ne jemi komplet pa bord. Nëse asgjë tjetër nuk ka ndodhur prej që është Trusti pa bord, mjetet që janë mbledhur që nga ajo ditë, kanë mbetur pa u investuar sepse duhet me ligj Bordi të japë konfirmimin që ato mjete të investohen dhe unë konsideroj që humbjet këtu janë shumë të mëdha. Prapë koston po e paguajnë qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaron ajo.
Deputetja e LDK-së ka ngritur edhe shqetësimin për Komisionin e Ndihmës Shtetërore, të cilin thotë se po e bllokon deputeti i VV-së, Armend Muja.
“Është institucioni i Komisionit të Ndihmës Shtetërore i cili është përgjegjësi e Kuvendit për ta zgjedhur, e kemi zgjedh njëherë, e kemi dërguar në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje e ka bojkotuar zgjedhjen dhe e ka rrëzuar si proces. Kemi shpall konkurs, prapë i kemi bërë listat e ngushta dhe është z.Muja i cili po e bllokon këtë proces. Sot Republika e Kosovës nuk e ka një Komision të Ndihmës Shtetërore që është një prej kritereve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe është filtër kryer nëpërmes të cilit duhet të kalojë secili subvencionim që jepet”, shprehet Bajrami.
Sipas saj, VV duket se po i konvenon që të mos ketë filtra për subvencione, teksa shton se në vend të tij është një departament i Ndihmës Shtetërore, në të cilin paguhen 12 persona prej dy vitesh, por që nuk bëjnë asnjë punë.
“Me gjasë, në mënyrën se si po shpërndahen subvencionet, po iu konvenon që të mos ketë filtra të tillë dhe në anën tjetër është një departament i Ndihmës Shtetërore që ka shërbyer si sekretariat i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, janë 12 veta që për dy vite nuk e kanë as edhe një punë. Ministri i Financave iu paguan paga atyre, por në fakt ata nuk e kanë as edhe një punë, për shkak se nuk ka Komision të Ndihmës Shtetërore”, thotë ajo.
Përpos këtyre, Bajrami thotë se ka edhe institucione tjera të pakompletuara dhe se kjo duhet të jetë shqetësim dhe se një gjë e tillë ndikon në jetën e qytetarëve dhe kushton në terma monetarë.
“Janë edhe disa institucione të cilat janë të pakompletuara dhe janë pa vendimmarrje. Duhet të jetë shqetësim i madh së pari për ata, por është shqetësim edhe për ne si përfaqësues politik e shtetëror të vendit, sepse mungesa e vendimmarrjes në secilën prej këtyre institucioneve kushton në terma monetar dhe në vazhdimin e jetës së qytetarëve”, përfundon ajo./Botapress.info/