Çdo opsion tjetër, përveç shkuarjes në zgjedhje në prill, është katastrofik si për partitë opozitare ashtu edhe për vetë shtetin e ri të Kosovës. Të gjithë parametrat politikë, elektoralë dhe institucionalë tregojnë qartë se opozita nuk fiton asgjë substanciale nga asnjë skenar i zgjedhjes së presidentit/es në këtë moment. Përkundrazi, dëmi do të ishte i shumëfishtë. Kosova do të futej në një rrugë pa krye, me pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme drejt theqafjes institucionale dhe demokratike.
Në këtë kontekst, frika e opozitës nga zgjedhjet në prill është e pajustifikuar. Nuk kanë çfarë të humbin. Më poshtë se kaq nuk shkohet. Ndërkaq, me një mobilizim të jashtëzakonshëm politik, organizativ dhe qytetar, ekzistojnë gjasa reale që rezultati të përmirësohet ndjeshëm dhe të zbritet Vetëvendosja nën pragun kritik të 50%, pra nën mundësinë e instalimit të plotë të një regjimi autokratik.
Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e presidentit/es në këtë kohë duhet kundërshtuar fuqimisht nga të gjitha partitë opozitare. Të gjitha opsionet në tavolinë janë të këqija. Dallimi mes tyre është vetëm doza e së keqes, jo natyra e saj. Në secilin prej këtyre skenarëve, Albin Kurti del fitues, sepse në katërvjeçarin e ardhshëm do të kishte hapësirë të mjaftueshme për ta “kapur” çdo pore të shtetit të Kosovës, pa ndonjë pengesë serioze.
Opsionet dhe pasojat konkrete janë këto:
1. Rizgjedhja e Vjosa Osmani nuk do të sillte asnjë ndryshim thelbësor. Ky është një skenar tashmë i provuar dhe me pasoja fatale për opozitën, veçanërisht për LDK-në, të cilën Vjosa njëherë e rrëzoi në 12% dhe herën tjetër në 13%.
2. Zgjedhja e një presidenti/e nga radhët e opozitës do t’i shërbente vetëm rehatimit personal të një individi dhe disa zyrtarëve përreth tij, të cilëve, edhe ashtu, nuk do t’u lejohej të vazhdonin të vepronin në interes të partive që i propozojnë.
3. Zgjedhja e një figure “neutrale” nuk do t’i sillte asnjë të mirë as opozitës dhe as vendit. Një president i tillë, me gjasë, do t’i nënshtrohej vullnetit politik të Kurtit dhe nuk do të ishte në gjendje të ndalonte procesin e kapjes institucionale.
4. Zgjedhja e një presidenti nga opozita (apo neutral) e shoqëruar me një ndarje simbolike të pushtetit ekzekutiv do ta shndërronte opozitën bashkëqeverisëse në dekor [edhe pse nuk ka indikacione se Albin e do këtë]. Ministrat opozitarë do të silleshin si zyrtarë sahanlëpirës të tipit të Listës “Guxo,” ose do të shkarkoheshin sapo t’ia “prishnin tymin e duhanit” Liderit Suprem, pa asnjë pasojë serioze për LVV-në.
5. Votimi i një kandidati të LVV-së, si p.sh. Glauk Konjufca, do të ishte akti final i vetëdorëzimit politik. Me duart e tyre, opozitarët do ta “bënin ispatë” instalimin e plotë të autokracisë në Kosovë.
Dikush mund të argumentojë se Dr. Ibrahim Rugova mbante pozitën e presidentit dhe se edhe sot opozita mund të ndjekë të njëjtin model. Ky krahasim është thellësisht i gabuar. Edhe atëherë, pozita e kryeministrit ishte më e fuqishme, por nuk i përshtatej Rugovës për shkak të karakterit të tij si lider mbipartiak, vizionar dhe arkitekt i proceseve që sollën lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Për më tepër, Rugova ishte në një pozitë shumë më të favorshme sesa çdo opozitë sot, sepse partia e tij ishte pjesë substanciale e qeverisjes.
Përfundimi është i qartë dhe urgjent. Zgjedhjet në prill nuk janë rrezik për opozitën, por mundësia e fundit reale për ta ndalur rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë dhe për ta rikthyer garën politike në shina demokratike. Të gjitha rrugët e tjera çojnë drejt humbjes së sigurt.



Të tjera
Aktuale
Mandani shpall gjendje të jashtëzakonshme në New York, mbyllen shkollat dhe qarkullimi rrugor gjatë 24 orëve të ardhshme
Kryebashkiaku i New York
Aktuale
Kurti takohet me Hamzën: Diskutohet bashkëpunimi qeveri-opozitë dhe zgjedhja e presidentit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin
Lajme Opinione
Bajram Gecaj: Zgjedhja që mbyll garën demokratike…
Çdo opsion tjetër, përveç shkuarjes në