Avokati Besnik Berisha ka reaguar pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke thënë se vendime të tilla nënkuptojnë shkuarje në zgjedhje në këto komuna.
Berisha u shpreh se brenda afatit ligjor presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet, të cilat sipas tij janë të pashmangshme.
“Pavarësisht negociatave që mund të zhvillohen dhe rezultatit që mund të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë, një gjë tashmë është e sigurt:
Dorëheqja e Kryetarëve të Komunave në veri është e pakthyeshme dhe Presidentja Osmani detyrohet që brenda afatit ligjor t’i shpallë zgjedhjet për secilën nga komunat me shumicë serbe, kryetaret e të cilave tashmë kanë dhënë dorëheqje.”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, dorëheqjet janë definitive, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e dorëheqjes së ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Qeskaj, sipas të cilit dorëheqja e cilitdo kryetar komune është përfundimtare dhe i jep fund mandatit të kryetarit të komunës.
“Kushtetuta dhe ligji nuk njeh “pishman”, ndaj dorëheqjet janë definitive dhe zgjedhjet për kryetarë të komunave për atë pjesë të vendit janë të pashmangshme.
Përgatitne buxhetin dhe njoftojeni KQZ për një fakt të tillë!
P.S Në rast se e keni harru, ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e dorëheqjes së kryetarit Qazim Qeskaj”, përfundoi avokati Berisha.