Ish-kryeministri Avdullah Hoti, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës ka përshëndetur votimin e Marrëveshjes për studimin e fizibilitetit të Hekurudhës Prishtinë -Durrës. Ai ka rikujtuar se kjo ky projekt ka mundësi të financohet nga fondet amerikane pasi që një projekt i tillë është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit e nënshkruar më 4 Shtator të vitit 2020.
“Marrëveshja e Uashingtonit e ka paraparë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës me mundësi financimi nga fondet amerikane. Këta që janë duke “qeverisur” tani e kanë sharë këtë pikë të marrëveshjes dhe e kanë kualifikuar si tradhti, se gjoja kjo hekurudhë i siguron qasje fqinjit verior në Portin e Durrësit.
Ndërsa, sot këta mashtrues e sjellin për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për këtë projekt për ta financuar bashkërisht me Shqipërinë.
Është lajm i mirë që po realizohet ky projekt, por kjo qasje tregon se këta kanë mashtruar qytetarët për këtë projekt dhe në të gjitha qëndrimet e tyre” ka shkruar Hoti në një postim të tij në Facebook.