Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se e ka arrestuar një shtetas nga Kosova, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpol-it.
Në një njoftim për media, Ministria tha se i arrestuari është një 55-vjeçar me inicialet E.B.
Ai u arrestua të premten në pikën kufitare të Bllacës, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
“Gjatë kontrollit të pasaportës është konstatuar se ai ishte i regjistruar me masë ‘arrest’ me kërkesë të Interpol-it”, thuhet në njoftimin Ministrisë maqedonase.
I arrestuari i është dorëzuar punonjësve të policisë së Interpol-it për procedim të mëtejshëm, tha ajo.
Mediat maqedonase kanë raportuar se bëhet fjalë për Bajram Eminin, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga qyteti i Ferizajt.
Më herët të shtunën, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, se një i dyshuar, të cilit iu referua si “shtetas serb”, është arrestuar në Shkup, nën dyshimin për krime lufte në Kosovë më 1999.
Autoritetet serbe i njohin shtetasit e Kosovës si pjesë të Serbisë, pasi ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008.
Lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës ka reaguar partia shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm.
Partia i bëri thirrje Qeverisë ta rishikojë praktikën e zbatimit të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të z. Bajrami dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rishikojë urgjentisht praktikën e ekzekutimit të fletarresteve të Serbisë. Nuk mund të lejojmë që shteti ynë të bëhet mjet i politikave të Beogradit, në dëm të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndaj Eminit, gjykatësi kujdestar pritet të sjellë një vendim – lirim apo paraburgim në pritje të ekstradimit.
Verën e vitit të kaluar, autoritetet në Maqedoninë e Veriut ndaluan edhe një tjetër ish-ushtar të UÇK-së, Blerim Ramadani, bazuar po ashtu në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Ramadani, i cili akuzohet nga autoritetet serbe për krime lufte në rajonin e Nerodimes në vitin 1999, arriti të arratiset nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut, ku ishte urdhëruar nga gjykata në Shkup të qëndronte deri më 16 gusht, duke nxitur reagime nga Serbia.
Daçiq asokohe e cilësoi si “skandaloz” arratisjen nga arresti shtëpiak të Ramadanit.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, më 18 nëntor, kishte lënë të kuptohet se Shkupi nuk do të vazhdonte t’i zbatote fletarrestimet e lëshuara nga Serbia përmes Interpol-it.
Kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Mickoski kishte thënë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëpritur” në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, më vonë, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, theksoi se deklaratat e Mickoskit ishin “keqkuptuar”, dhe se fletarrestimet e lëshuara nga Interpol-i me kërkesë të Serbisë do të vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.