Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë sot vendim për masë të përkohshme, pas ankesës së partisë “Lista Serbe” rreth procesit të ndodhur në Kuvend për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet.
Kushtetuesja ka marrë masë të përkohshme deri me datën 30 shtator që ndalon çfarëdo veprimi dhe vendimi tutje për krijimin e Qeverisë së re, meqë evitohet rreziku i shkaktimit të dëmeve të pariparueshme nga çfarëdo vendimi për themelimin e institucioneve dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.
“Në kontekstin e lartcekur, Gjykata vlerëson se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të “evito[jë] rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 53 të Kushtetueses, raporton Express.
Gjykata Kushtetuese në pikën 54 të aktgjymimit vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të veprimeve e vendimeve, vjen pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në seancën e fundit kishte konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar.
Lëvizja Vetëvendosje gjatë kësaj jave kishte paralajmëruar se të dielën më 7 shtator, do të mblidheshin në Këshill të Përgjithshëm të partisë për ta konfirmuar Albin Kurtin si mandatar dhe për ta çuar emrin e tij tek presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë vetë Osmani kur ishte pyetur rreth pretendimeve të Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, se Kuvendi është konstituuar, kishte thënë se ekipi i saj ligjor po analizon seancat e Kuvendit.




Të tjera
Lajme
Të shtëna me armë zjarri, lëndohet një person në Gjakovë
Një person është lënduar si pasojë
Aktuale
Aksident në Prizren, veturë godet këmbësorët në trotuar
Një aksident trafiku ka ndodhur sot
Lajme
Aksident në Hajvali, përfshihen një kombi për fëmijë dhe disa motoristë
Një aksident trafiku ka ndodhur para