Ashtu edhe siç pritje, doktoresha Sale Bytyqi është zgjedhur drejtoreshë në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Suharekë, shkruan Gazeta Botapress.
Që tri vite e gjysmë QKMF, në Suharekë udhëhiqej me ushtrues detyre, të drejtorit, ndërsa tani pothuajse më pak se pesë muaj para zgjedhjeve lokale, Komuna ka hapur konkurs për drejtor dhe ka zgjedhur drejtoreshë Sale Bytyqin.
Më 17 mars të vitit 2020, drejtori i atëhershëm i QKMF’së, Dr. Salih Bytyçi, zyrtarisht kishte përfunduar karrierën e tij si udhëheqës i këtij institucioni, për shkak të pensionimi të tij.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 ai kishte vazhduar ta ushtronte detyrën e drejtorit deri në muajin prill, ku i kishte liruar vendin Dr.Arbër Zenelaj, i cili ishte emëruar ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të QKMF’së, ku edhe ky i fundit për shkak të vazhdimit të studimeve i kishte liruar pozitën Dr.Sale Bytyqi e cila deri sot ishte ushtruese e detyrës së drejtorit të QKMF’së.
Sale Bytyqi ka qenë drejtoreshë e Shëndetësisë në Suharekë, ku kishte thënë dorëheqje nga ky post. Ajo sa ishte në këtë post në vitin 2020, kishte hapur konkurs për vende pune në QKMF, ku pastaj kishte aplikuar edhe vet në këto pozita.
Ndërkaq sot për emërimin e saj si drejtoreshë në QKMF, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në Suharekë.
“Verifikohet sërish paralajmërimi i degës sonë në Therandë! Ashtu siç edhe ju patëm paralajmëruar me datë 11.06.2021, se pikët më të shumta do t’i “fitojë” znj. Sale Bytyqi në të ashtuquajturin konkurs për Drejtor të QKMF-së, ashtu edhe ndodhi. Pra kurdisja e konkurseve nga partia në pushtetin lokal në Therandë, ka minuar barazinë e qytetarëve para ligjit duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. LDK dega në Therandë, fton institucionet e drejtësisë që të hetojnë mbi shkeljet e njëpasnjëshme të ligjit që janë bërë në qeverisjen lokale në Therandë në këto 3 vitet e fundit!”, thuhet në reagimin e tyre. /Botapress/