Ambasadorët e QUINT-it e kanë “ndëshkuar” sërish Kosovën dhe kësaj radhe duke mos marrë pjesë në ndejën e Ditës së Çlirimit. Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani kanë thënë për Paparacin se diplomatët perëndimorë nuk ndodhen në Kosovë, ndonëse dy prej tyre, shefja e shtetit paraprakisht i kishte takuar të hënën në Prishtinë. Rrjedhimisht, arsyetimi i Presidencës për këtë “goditje” nga aleatët e Kosovës, nuk qëndron dhe s’është i bazuar.
Kosova po vazhdon të marrë “goditje” nga ndërkombëtarët, pas zhvillimeve dhe “vendimeve të njëanshme” të Qeverisë Kurti, në komunat veriore. Së fundmi, ambasadorët e vendeve përbërëse të QUINT-it e kanë bojkotuar ndejën shtetërore të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Dita e Çlirimit, ambasadorët e QUNIT-it e bojkotojnë pritjen shtetërore
Në këtë ndejë ndër të tjera po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Megjithatë, nga Presidenca e Kosovës kanë deklaruar se ambasadorët aktualisht ndodhen jashtë Kosovës.
Por para organizimit të kësaj ndeje në 24-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Osmani kishte zhvilluar disa takime gjatë ditës së sotme me dy nga pesë ambasadorët e QUINT-t.
Prandaj, arsyetimi i kabinetit të shefes së shtetit se të njëjtit nuk janë në Kosovë, përveç se nuk është valid, është edhe i pavërtetë. Nga Presidenca e Kosovës nuk kanë treguar se pse po mungojnë ambasadorët e QUINT-it në këtë ngjarje të rëndësishme.
Pa u lëshuar në detaje, prej kabinetit të Osmanit i thanë Paparacit se diplomatët ndodhen jashtë vendit. Nga ana tjetër, shefja e shtetit, të hënën ka takuar ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë, Jorn Rohde dhe Antonello De Riu.
Me ambasadorin gjerman, Osmani diskutoi për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjërat e njëjta, shefja e shtetit i diskutoi edhe me ambasadorin italian në Prishtinë, De Riu, transmeton Paparaci.
“Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në kumtesën e Presidencës.
“Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes. Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon”.
Paparaci raportoi të hënën se të gjithë ambasadorët e vendeve të QUINT-it e kanë bojkotuar pritjen e organizuar nga presidentja Osmani me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes.
Një veprim i tillë është marrë për ta “ndëshkuar” Kosovën, pas tensioneve në veri të Kosovës.
Burime diplomatike perëndimorë i kanë thënë Paparacit, se bojkoti është bërë për t’i dhënë mesazh kryeministrit, Albin Kurti se tashmë ai nuk është në një linjë me Amerikën dhe aleatët. Prezent në ndejën shtetërore ishin ambasadorët e Zvicrës, Austrisë dhe Arabisë Saudite, por jo edhe ata të QUINT-it.
Të ftuar ishin edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilët vendosur që të mos vijnë, duke i dërguar kështu zëvendësit e tyre në ndejën shtetërore.
E mos prania e tyre ka të bëjë me zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku edhe SHBA i vendosi Kosovës disa masa. Paparaci këtë pritje shtetërore e ka përcjellë nga afër. Për Paparacin nga kabineti i presidentes Osmani kane thënë se ambasadoret e shteteve te QUINTIT ndodhen jashtë vendit.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova./Botapress.info/