200’000 vende të reja pune!
Kosovën do ta bëjmë Zvicër!
Bashkim kombëtar!
Këtyre premtimeve “që as vetë nuk i kemi besuar” i kemi dhënë fuqinë legjitime absolute dhe ligjore mbi të gjithë ne!
A e kemi mashtruar veten?
Kushdo që minimizon gjendjen tonë ekonomike, papunësinë, rrëshqitjen drejt lindjes, pasigurinë ligjore dhe sociale dhe, në një fjalë, botën tonë reale siç është, po fillon të krijojë një botë alternative imagjinare!
Ngritja shumë lart e njerëzve, udhëheqësve të çfarëdo grupacioni në nivel profeti apo zoti, që përvetësojnë se ata janë zëri i të gjithëve dhe që të tjerët nuk duan as ta kuptojnë realitetin dhe as të mendojnë me kokën e tyre, por vetëm të besojnë në aftësitë e kultit “zotit” të krijuar, është rreziku më i madh që mund t’i kanoset një shoqërie!
Kur udhëheqësit ngrihen në nivel profeti ose zoti, çdo mendim tjetër që nuk është në përputhje me mendimin e “zotit” të krijuar duket aq i vogël, aq qesharak dhe aq i devijueshëm e i rrezikshëm, saqë legjitimohet gati nga të gjithë për izolim dhe luftimin e çdo mendimi tjetër! Ngritjen e udhëheqësve në nivel zoti kanë përjetuar shumë popuj dhe disa ende përjetojnë!
Për të shmangur këtë rrezik, është e domosdoshme që të inkurajojmë një kulturë të mendimit kritik dhe të debatit të hapur.
Të informihemi mirë dhe të angazhohemi aktiv në proceset demokratike, duke kërkuar llogari nga udhëheqësit dhe duke refuzuar të pranojmë premtime të pabaza dhe ideologji të pafundme.
Shoqëria jonë të ndërtohet mbi baza të shëndetshme demokratike dhe mbi bazën e transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes së gjerë të qytetarëve.
Vetëm kështu mund të sigurojmë që udhëheqësit tanë të jenë përfaqësues të vërtetë të interesave tona dhe të punojnë për të mirën e përbashkët, në vend që të krijojnë një kult personaliteti që mund të çojë në manipulim dhe dështim të shoqërisë sonë.