Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së ku ka shpalosur qëndrimet e partisë për aferat e fundit të keqpërdorimeve me kontratat për rezervat shtetërore në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë që u bënë publike kohëve të fundit në medie.
Gashi më ketë rast ka shtruar disa pyetje për Qeverinë Kurti prej të cilave pret përgjigje, përcjellë Botapress.
Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin, shkelja e Kushtetutës po e mbulon shkeljen paraprake të Kushtetutës, shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake të ligjit, ndërsa afera po e mbulon aferën.
Qytetarët e Republikës kanë nevojë të dinë të vërtetën. E vërteta është zgjidhja e duhur për të gjitha; është pikënisje për gjithçka.
Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore.
Prandaj, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor në Parlamentin e Kosovës, LDK do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.
Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore.
-Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore!
-Të kuptojmë se cila është procedura që është ndjekur?
-Të kuptojmë se a janë hapur tender për këto rezerva shtetërore?
-Nëse po, si kanë shkuar?
-Nëse jo, pse jo?
-Dhe nëse këto kontrata janë klasifikuara si sekrete, cila është forma që është përdorur për t’u vlerësuar si sekret?
-Pse dhe si janë klasifikuar si të tilla?
-Çka është klasifikuar si sekret shtetëror; produkti, çmimi, vendndodhja, personat e involvuar, kontratat apo sekreti është i vlefshëm vetëm për qytetarët?
-Kush dhe si e ka menaxhuar këtë proces nga fillimi e deri në fund?
-Cilët kanë qenë akterët e pushtetit që e kanë drejtuar këtë proces?
-Cila mund të jetë afërsia eventuale e përfituesve të këtyre kontratave me pushtetin?
-Deri në cilin nivel të hierarkisë se pushtetit arrin marrëdhënia eventuale e përfituesve dhe pushtetarëve?
-Si dhe kush i ka përzgjedhur kompanitë furnizuese?
-Me çfarë kriteri?
-A ka qenë eksperienca e tyre?
-A ka qenë çmimi?
-Apo çka?
-Po ashtu duhet të shohim nëse janë realizuar kontratat?
-A janë respektuar afatet?
-A kanë qenë kontratat konform ligjit?
-A i kanë kryer detyrimet palët sipas kontratave?
E vërteta duhet të del në pah; duhet të dimë të vërtetën e menaxhimit politik, procedural dhe ligjor për menaxhimin me rezervat shtetërore.
E vërteta na ndihmon të gjithëve; është e domosdoshme për të gjithë pa përjashtim, ndaj ne do ta kërkojmë të vërtetën me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat institucional, në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e rezervave shtetërore, ka thënë Arben Gashi në konferencën për medie përcjellë Botapress.