Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka shprehur pretendimin se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. E këtë e tha pasi Kosova ka deponuar aplikimin për anëtarësim në BE, ngjarje që, sipas Vuçiqit, shënon tërheqjen nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë, me të cilën ishte shpallur moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare e edhe për fushatën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.
“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia”, ka thënë Vuçiq. “Ne jemi duke pritur për të dhjetin”, njoftoi ai.
Nga Qeveria e Kosovës e kanë hedhur poshtë pretendimin e Vuçiq.
Kryeministri Albin Kurti ka mohuar raportet për çnjohje, të cilat janë bërë nga Serbia.
“Mua më duket që më shumë janë përpjekje e Beogradit që në një situatë ku kanë humbur përkrahjet e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin e tyre në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë, nuk është vërtetuar nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht nga shërbimi jonë i jashtëm”, ka thënë kryeministri Kurti. “Pra, nuk ekziston asnjë prej atyre pretendimeve”.
Njohja nga Izraeli është e fundit që Kosova e ka pranuar. Ato u reduktuan prej 2011-s kur Kosova ka nisur dialogun me Serbinë.
Plani franko-gjerman, mbi bazën e të cilit pritet të zhvillohet faza e re e dialogut, nuk parasheh njohje reciproke, por kërkon nga Serbia të mos e pengojë Kosovën në asnjë proces anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Serbia është e interesuar që të bllokojë suksesin në dialog dhe t’i arrijë qëllimet e saj me dhunë dhe nëpërmjet bandave kriminale.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidencës thuhet se Osmani këto komente i ka bërë në taksimin që ka zhvilluar të premten me deputetin britanik David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.
“Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtarë, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit”, thuhet në komunikatë. “Por, siç potencoi presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njoftuan që nuk ka asnjë njoftim në ministri dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të Serbisë se disa shtete kanë tërhequr njohjen.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.
“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Faza e re e dialogut pritet të nisë këtë muaj dhe për t’i dhënë shtytje atij, javën e ardhshme pritet ta vizitojnë Kosovën emisarë evropianë e amerikanë, e edhe këshilltarë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez.