Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve “Associated Press” ka shkruar për vendimin e Kosovës që t’i vendosë sanksione shtatë personave dhe një kompanie, të lidhur me organizatën terroriste Hezbollah.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u shpreh se një vendim i tillë kontribuon në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
AP shkruan se vendimi ishte në përputhje me sanksionet që SHBA-ja ka vendosur ndaj Hezbollahut, një fraksion i fuqishëm shiit që mban vende në Parlamentin e Libanit.
“Në një deklaratë thuhet se shtatë personave dhe kompanisë ‘AID Properties’ u ngrinë asetet e tyre. Të shtatë nuk mund të largohen nga vendi dhe as të marrin para nga individë apo kompani të tjera nga Kosova”, thuhet në artikullin e agjencisë.
As Libani dhe as Palestina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall shtet në vitin 2008.
Kosova vendosi lidhje diplomatike me Izraelin në fillim të këtij viti pas një samiti Kosovë-Serbi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020. Një muaj më vonë ajo hapi ambasadën e saj në Jerusalem, vendi i parë evropian me shumicë myslimane që e bëri këtë, pas SHBA-së dhe Guatemala. Shumica e ambasadave ndërkombëtare janë në Tel Aviv, percjell Botapress.info